Partia Demokratike i sheh tre amendimet e propozuara të Kushtetutës si hapin e parë dhe më urgjenti drejt rivendosjes, sipas saj, të interesave të shqiptarë në qeverisjen e vendit. Pas tyre, Lulzim Basha u shpreh se Kushtetuta kërkon ndryshime të tjera rrënjësore.
Në lidhje me propozimin për vetting të politikës, Basha e mbrojti duke thënë se ai nevojitet për të pastruar “llumin” e politikës pavarësisht ngjyrimeve partiake që ka. Këtu përmendi edhe “llumin” e qeverisjes së PD.
“Edhe ne kemi pasur llumin tonë. Llumi i tranzicionit është një dhe vetëm një dhe nuk ka rëndësi se pas cilës sigël mundohet të fshihet. Janë këto abuzime të pandëshkuaara që na kanë sjellë në këtë pikë, të kërkojmë vettingun. Ky është një hap i stërmadh, që kushdo që mundohet ta zvogëlojë, ose s’e kupton, ose e ka frikë”, u shpreh ai.
Kryetari i PD thotë se nuk ka hequr dorë nga ideja e tij për rithemelimin e republikës.
“A ka sfida të tjera Shqipëria? Patjetër që po. A kam hequr dorë nga projekti që kam shpalosur para shqiptarëve me një kryeministër jo më shumë se dy mandate? Nuk kam hequr dorë. Një reformë edhe më e thellë kushtetuese është një domosdoshmëri. Unë jam personalisht për një mazhoritar të pastër dhe për një parlament me dy dhomave me të njëjtin numër deputetësh dhe pa rritur kostot mbi publikun. Kjo i jep Kuvendit dy instrumenta për kontrollin e qeverisë. Për mua mandati i Kryeministrit duhet të jetë jo më shumë se 8 vjet. Besoj personalisht që edhe një President nga populli nuk duhet përjashtuar”, vijoi ai.
Basha paralajmëroi nisjen e një tryeze më shoqërinë civile për hartimin e një platforme që do të rikthejë, sipas tij, demokracinë në vend përmes një reforme të thellë kushtetuese.
“Të bëjmë gati një reformë të thellë kushtetuese, që do të zgjidhë edhe këto problemet e tjera, që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, çmimet e të tjera. Por, këto të treja janë urgjencat, sepse sot kemi një republikë të rënë, demokraci të vrarë më 25 prill, qeveri që nuk është zgjedhur nga njerëzit, por është e imponuar”, deklaroi kreu i PD.
Në këtë konferencë, Lulzim Basha u shpreh gjithashtu se PD nuk është tërhequr nga ideja e ngritjes së një komisioni hetimor për çështjen Beçhetti. Kërkesa për këtë komision u refuzua me forcën e kartonëve nga socialistët në seancën plenare të javës së kaluar. Për opozitën, vendimi për ta rrëzuar është antikushtetues dhe për këtë arsye do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Sa i takon vettingut në politikë, në 2018 Venecia shqyrtoi një draft të ngjashëm të Partisë Demokratike. Këtë herë, opozita thotë se ka reflektuar në propozim sugjerimet e Venecias dhe thotë se tre vite më parë Venecia nuk rrëzoi vetë propozimin, por orientoi parimet se në cilat shina duhej ngritur ky vetting.
“Venecia vlerësoi dy parime. I pari që nisma të legjitimohet dhe në opinion thotë se problematika që ka Shqipëria me krimin e organizuar dhe lidhjet me politikën e legjitimon këtë nismë dhe parimi i dytë ai i proporcionalitetit. Ne i kemi reflektuar në draft vërejtjet e Venecias”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje