Kryeministri i Holandës, Mark Rutte përsëriti nga Tirana “Po”-në e fortë që vendi i tij dha për hapjen e negociatave dhe caktimin e një date për mbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare në muajin maj. Ai e cilësoi të padrejtë veton bullgare dhe kërkoi nga Sofja që të ndryshojë qëndrim.
Por, jo shumë kohë më parë vetë Holanda ka qenë vendi që ka bllokuar negociatat për Shqipërinë, ndonëse asnjëherë e vetme, por e shoqëruar e mbështetur herë nga Franca, e herë nga Danimarka, e deri nga vetë Bullgaria në dhjetor të vitit të kaluar. Ndryshimi i beftë i qëndrimit ka ngritur dyshime se bllokada holandeze në të shkuarën nuk ka pasur lidhje me progresin e Shqipërisë, por me zhvillimet e brendshme politike dhe sidomos zgjedhjet.
Në fakt, Holanda ndryshoi krejtësisht qëndrim tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, në mes të marsit të këtij viti, ku Rutte u konfirmua për herë të katërt në krye të Qeverisë. “Jo”-ja për negociatat para këtyre zgjedhjeve u dyshua se lidhej pikërisht me këto zgjedhje dhe presionin e ekstremistëve dhe të euroskeptikëve në fushatë.
Megjithatë, Mark Rutte e mohoi. Ai thotë se Holanda ka ndryshuar qëndrim për shkak se Shqipëria ka bërë progresin e mjaftueshëm për të mbajtur negociatat. Ndonëse tha se ka ende shumë punë për të bërë, ai vlerësoi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që jo shumë kohë më parë është përdorur si argument në veton holandeze.
Veç krimit e korrupsionit, si në rastin e bllokimit të dhjetorit të 2020, Holanda citonte si arsye edhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe zbatimin e ligjit për mediat. Nëse e para është plotësuar, në lidhje me të dytën ka ende debat, sidomos pas projektit të Qeverisë për ngritjen e një agjencie.
Në mars të 2020, Holanda bllokoi duke cituar tre kushte, ku media nuk ishte e përfshirë. Qeveria holandeze i dërgoi në atë kohë një propozim Parlamentit Europian duke kërkuar që Shqipërisë t’i hapen negociatat, por me kusht që të fillojë funksionimin Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe të thellohet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
Sa më shumë kthehemi pas në kohë, aq më i ashpër ka qenë qëndrimi holandez kundër hapjes së negociatave. Vjeshtën e 2019-s, dilte me qëndrimin e qartë, zyrtar e publik kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, ndonëse mbështeste hapjen e tyre për Maqedoninë e Veriut. Arsyeja? Nuk ishin plotësuar kushtet.
Në qëndrimin e atëhershëm, qeveria holandeze rrëzonte poshtë edhe vetë gjetjet e Komisionit Europian. “Qeveria mbështet analizën e Komisionit Europian se Shqipëria ka treguar përparim në fusha të ndryshme, por përfundimi i Komisionit se pothuajse të gjitha kushtet janë përmbushur është i parakohshëm”, thuhej në qëndrimin zyrtar të Holandës.
Ky qëndrim zyrtar, ndonëse i ashpër ishte më i zbutur se kërkesa e dorëzuar në maj të 2019-s në Komisionin Europian, ku Holanda kërkonte rikthimin e vizave për shqiptarët. Kërkesa mbështetej në arsyetimin se krimi i organizuar shqiptar ishte shndërruar në problematik për vetë sigurinë publike në Holandë.
Në dokumentin që qeveria holandeze i dërgoi Brukselit zyrtar në atë kohë mbizotëronte përgjithësisht një gjuhë e ashpër, ku theksohet me të madhe se bandat shqiptare përbëjnë një kërcënim të menjëhershëm për sigurinë e brendshme të Holandës.
Me tej Amsterdami zyrtar përcakton edhe arsyet se përse Bashkimi Europian duhet të pezullojë lëvizjen e lirë për shqiptarët, duke theksuar mes të tjerash se rrjetet kriminale shqiptare përbëjnë rrezik edhe për sigurinë e vendeve anëtare, si Britania e Madhe. Më tej, në dokumentin e hartuar nga zyrtarë të qeverisë holandeze, thuhet se që nga viti 2015, Holanda ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të veprave penale të lidhura me bandat kriminale shqiptare.
“Kriminelët shqiptarë janë të përfshirë në trafikun e drogës (kryesisht kokainë), pastrimin e parave dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Prania e tyre në skenën kriminale në Holandë po bëhet gjithnjë e më e spikatur, pasi po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me grupe të tjera të huaja kriminale. Është e qartë se aktivitetet e tyre janë një kërcënim i menjëhershëm për sigurinë e brendshme”, thuhej në kërkesë.
Kërkesa holandez u refuzua në fillim të muajit korrik nga ana e Komisionit Europian, që e vlerësoi atë si të pabazuar dhe që nuk plotësonte kushtet për aktivizimin e mekanizmit të kufizimit të lëvizjes së lirë për shtetasit shqiptarë, lëvizje që ka hyrë në fuqi që në fund të 2010-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje