Holanda është shndërruar brenda pak muajve nga skeptikja në mbështetësen më të madhe të të ardhmes së Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Qëndrimi u përforcua nga kryeministri holandez, Mark Rutte këtë të mërkurë gjatë vizitës disaorëshe në Tiranë.
“Kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë në këto 2 vite në luftën kundër krimit të organizuar. E kemi diskutuar edhe në takimin dypalësh për forcimin e bashkëpunimit. Të gjithëve na duhet të bëjmë shumë punë, por progresi që është arritur në 5 vite e fundit ka qenë i madh dhe bëri të mundur për ne që të themi “Po”. Ne duam që ky rajon të ketë perspektivën e Bashkimit Europian, sepse jemi miq, fqinjë dhe sepse të tjerët jashtë rajonit mund të kenë të tjera qëllime”, tha kryeministri holandez.
Rutte mbështeti edhe Ballkanin e Hapur. Ai thotë se çdo nismë që forcon bashkëpunimin rajonal është e mirëpritur prej Holandës. “Mbështesim nismat e bashkëpunimit në rajon. Ballkani i Hapur mund të nxisë anëtarësimin në BE”, u shpreh ai.
Kryeministri holandez premtoi se vendi i tij do t’i kërkojë Bullgarisë që të heqë veton e vendosur për hapjen e negociatave, veto që e cilësoi të padrejtë.
“Është e drejtë që për të nisur konferencën e parë ndërqeveritare të ndryshojë qëndrimi i Bullgarisë. Shpresoj që kjo të ndodhë. Do të ishte e drejtë. Ju keni bërë kaq shumë përparime”, u shpreh ai.
Kemi folur edhe për momentin ku vendet e BE janë gati të nisim formalisht procesin e gjatë të negociatave por duhet zgjidhur ngërçi i krijuar nga veto e Bullgarisë. Unë e falënderoj mikun tim Mark për kontributin personal në komunikimin me palën bullgare drejt zgjidhjes dhe përpara se të mblidhet këshilli evropian në dhjetor’, tha Rama.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama, pasi e falenderoi për kontributin personal në komunikimin me palën bullgare, shpresoi që vetoja të hiqet para takimit të udhëheqësve të BE-së në dhjetor. Megjithatë, Rama u tregua më pak kritik se zakonisht ndaj BE.
“Ne kemi folur për Procesin e Berlinit dhe Ballkanin e Hapur dhe në këtë rast nuk do të gjeja një arsye për të fajësuar BE përsa ndodh sot, sepse procesi i integrimit dhe zgjerimit është një proces i ndërlikuar, sepse BE ka hyrë në një fazë që ka shumë kompleksitet dhe nuk është e lidhur me ndonjë refuzim, apo ngurrim për ta konsideruar Ballkanin Perëndimor pjesë të BE”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje