Bota

Sulm terrorist në Liverpul, shoferi i taksisë mbylli kamikazin në makinë dhe shpëtoi jetë

Ndërsa Mbretëria e Bashkuar përkujtonte solemnisht të rënët e Luftës së Dytë Botërore, në Liverpul një burrë hodhi veten në erë në një taksi përpara “Liverpool Women’s Hospital”, jo shumë larg Katedrales, ku para dy mijë njerëzve, dy minutat e zakonshme të heshtjes ishin gati për të filluar.

Policia e Merseyside, fillimisht kishte përjashtuar një sfond politik ose fetar, por të dielën në mbrëmje, tre të rinj të moshës 29, 26 dhe 21 vjeç, u arrestuan nga policia e Liverpulit të dyshuar për terrorizëm dhe autoritetet e shpallën ngjarjen zyrtarisht një akt terrorizmi.

Taksisti Dave Perry, i cilësuar si një hero, ka shmangur një masakër, pasi ka arritur të zbresë në kohë nga makina dhe të mbyllë kamikazin në makinë pak sekonda para shpërthimit. Jeta e shoferit nuk është në rrezik.

Perry tha se pasagjeri hipi në “Sefton Park” dhe qëndroi i heshtur deri sa mbërriti para spitalit, kur shoferi vuri re se ai kishte diçka n duar dhe u bë i dyshimtë.

Për Britaninë e Madhe, kjo është shenja e dytë paralajmëruese në një kohë të shkurtër. Vetëm një muaj më parë, deputeti konservator, Sir David Amess u vra në Essex nga duart e një mbështetësi të supozuar të ISIS.

Ndërsa taksia shpërtheu në spitalin e Liverpuolt, në Whitehall ‘Cenotaph’ të Londrës, e gjithë struktura e politikës dhe monarkisë britanike, me Boris Johnson dhe Princin Charles në rreshtin e parë, kujtuan heronjtë e luftërave botërore midis kurorave të pafundme tradicionale me lule të kuqe, një simbol i kujtesës nga britanikët këto ditë.

Ndër të tjera, agjentët kontrolluan – si pjesë e një operacioni të kryer nga departamentet speciale – një shtëpi në qytetin anglez ku besohet se mund të jenë përgatitur dhe ruajtur lëndët plasëse.

Ndërkohë, spitali dhe zona e aksidentit mbeten të rrethuara, me prezencë të fortë të policisë dhe zjarrfikësve. Një zyrtar i policisë Merseyside, specifikoi se viktima është duke u identifikuar dhe se aksesi në spital mbetet “i kufizuar deri në njoftimin e mëtejshëm”. Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të jenë “të qetë, por vigjilentë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë