Pas 6 orë mbledhje, kryesia e PD-së vendosi me 26 vota pro mbajtjen e Kuvendit Kombëtar me 18 dhjetor, propozim ky i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Kundër propozimit votuan 3 kundër anëtarët Belind Këlliçi, Ivi Kaso, Aldo Bumçi, 3 abstenuan, 4 nuk morën pjesë në votim ndërsa 2 anëtarë munguan.
“Do të kemi një Kuvend më 18 dhjetor. Jam krenar për vendimin e Kryesisë, pas 6 orësh diskutime. Dua t’i falënderoj të gjithë. Pavarësisht prej mendimeve apo votës së tyre, për përkushtimin që demonstruan dhe legjitimin e plotë që i kanë dhënë demokratëve. Një parti, një Kuvend më 18 dhjetor. E sigurt është që nuk do lejoj askënd që të mbajë PD peng”, tha Basha pas mbledhjes së kryesisë.
Më herët në fillim të mbledhjes, së kryesisë së PD-së, Lulzim Basha ka paralajmëruar se nuk do ta njohe Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, duke ftuar anëtarët e kryesisë që të përgatisin procedurat për mbajtjen e një tjetër Kuvendi Kombëtar më datë 18 dhjetor. Basha është shprehur se nuk do të lejojë struktura paralele, duke nënvizuar se hallet e Berishës nuk janë ato të PD-së.
Basha ka hequr edhe një paralele mes Berishës, Presidentit serb, Vuçic dhe Milorad Dodik i Republikës Srpska
“…E nisin betejën me gjoja unë paskam shkelur statutin dhe askush nuk mund të thotë cilën pikë të statutit kam shkelur, sepse nuk ka, dhe vazhdon duke dhunuar statutin dhe cdo institucion të PD dhe mbi të gjitha duke fyer dhe poshtëruar anëtarësinë, madje edhe ata që besuan tek lëvizja e tij.
PD nuk mund të funksionojë me struktura paralele. Vetëm Vuçiç në Kosove kërkon struktura paralele dhe Dodiku në Bosnjë.
Zoti Berisha duhet të përballej vetë me Departamentin Amerikan të Shtetit. Ashtu siç premtoi fillimisht në mënyrë të përsëritur. Pa e përfshirë PD dhe Grupin Parlamentar të PD”, mësohet të jetë shprehur Basha.
Cfarë po kërkon, sipas tij, Sali Berisha sot?
“Që PD të dalë kundër SHBA. PD të kthehet në mburoje të interesave personale të Sali Berishës
Izolimin e PD nga SHBA sepse nuk ka asnjë dyshim se partnerët nuk do të bashkëpunojnë me një organizëm që ka aktiv brenda vetes një individ të shpallur non grata për korrupsion nga SHBA, pavarësisht se çfarë pretendon zoti Berisha.
Partia Demokratike nuk mund të mbajë më mbi shpinë hallet e zotit Berisha. Hallet e tij janë të tij, jo të PD”, është shprehur Basha.
“Për disa vendime të mijat, në pamje të parë, mund të duket se i turbullojnë demokratët, mund edhe t’ia arrini për një kohë të shkurtër, por demokratët kanë mençurinë për të dalluar të keqen nga e mira, për të dalluar ata që bëjnë sikur luftojnë, dhe ata që vërtetë janë në betejë me regjimin e Edi Ramës.
Cfarë pune ka me PD, por nëse doni edhe me Sali Berishën:
Qifja, Suel cela, Rrahman Rraja, Tom Doshi
Shumë njerëz jo vetëm demokratët pyesin:
C’ne këta me Kuvendin e Partisë Demokratike?
Pse kaq të investuar këta për një akt të tille?
Shpjegimi është i thjeshtë: Disa duan të jenë faktorë në PD dhe të vijojnë aferat e tyre korruptive e kriminale me PD-në siç kanë bërë e bëjnë me PS e Ramës.
Disa të tjerë, që presin të shpallen non grata, u intereson kjo përplasje për të mbrojtur veten e tyre.
Të gjithë këta që përmenda në një formë a tjetër janë njerëzit e Ramës, i shërbejnë vetëm Ramës, nuk vrasin mendjen as shqetësohen që demokratët janë pa bukë, janë nën presionin e pushtetit, janë papunë.
U ka shkelur syrin Rama të futen në betejë nën flamurin e Berishës për të përçarë PD dhe zgjatur jetën politike të Edi Ramës.
Kemi sakrifikuar shumë për të mos e bërë pis PD. Për ta mbajtur Partinë Demokratike të pastër nga krimi. S’ka për të ndodhur as tani, as sot dhe as nesër”, është shprehur Basha. Për arsyet sa më sipër, kryetari i demokratëve është shprehur se, nuk do të ketë kuvend kombëtar të PD me 11 dhjetor
“11 Dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD, në ditën e izolimit të PD.
Ai dëshiron ta bëjë, sepse vetëm ashtu mendon se i shërben hallit të tij. Por detyra jonë është ti shërbejmë hallit të demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës.
Partia Demokratike e Shqipërisë do të përqendrohet tek ajo që kemi marrë përsipër: t’i prijmë demokratët drejt qeverisjes së vendit, të mundim të vetmin kundërshtar që kemi Edi Ramën dhe të krijojmë një të ardhme për shqiptarët.
Për këtë arsye, për ti shërbyer demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës, i propozoj Kryesisë së Partisë Demokratike: Thirrjen e Kuvendit Kombëtar me 18 dhjetor”
Ndërkohë, pas konferencës së Berishës të mbajtur pak orë më vonë se do të ketë vetëm një Kuvend me 11 dhjetor, përgjigja e Bashës ka ardhur nga mbledhja e kryesisë.
“Nuk ka 2 PD, ka vetëm 1 PD dhe nuk ka për te pasur institucione paralele. Ne 11 dhjetor ka tubim, por jo Kuvend. Nuk jam unë as pengesa, as halli, as problemi i Sali Berishës…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje