Politike

Gjykata pushoi çështjen ndaj Dvoranit, zëdhënësi i Presidentit: E papranueshme, do e ankimojmë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar përmes zëdhënësit Tedi Blushi, lidhur me pushimin e çështjes nga Gjykata e Posaçme. Të martën paradite, Gjykata e Posaçme vendosi pushimin e çështjes për ish-kreun e KED-së, Ardian Dvorani, duke rrëzuar kështu padinë e presidentit Ilir Meta, pas kërkesës që erdhi nga SPAK.

“U deshën plot 2 vite, që SPAK të kërkonte pushimin e procedimit penal ndaj personit nën hetim, z.Ardian Dvorani dhe ndaj ish-Ministres së Drejtësisë dhe vartësve të saj.

Vendimi i sotëm i Gjyqtarit të Seancës Paraprake, që miratoi këtë kërkesë të Prokurorisë për pushimin e çështjes penale të nisur 2 vite më parë, me kallëzim të Presidentit të Republikës, është i papranueshëm   dhe do të ankimohet sipas rregullave procedurale dhe afateve, që përcakton Kodi i Procedurës Penale.

Kushdo, që ka konsumuar vepra penale dhe ka abuzuar me ushtrimin e funksionit publik, qoftë ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, ish-Ministër Drejtësisë, apo funksionar tjetër i lartë do të përgjigjen para drejtësisë”, thuhet në reagimin e Blushit.

Sipas tij, faktet dhe veprimet e faktuara nuk zhbëhen dot.

“Rëndësia e kësaj çështjeje, pikërisht për shkak të cenimit të besimit të publikut tek Drejtësia, nuk mund të sfumohet duke e zvarritur në kohë, dhe as me hetime të cekta, që derivojnë nga thelbi i çështjes.

Edhe një trupë ndërkombëtare ekspertize si Komisioni i Venecias veproi më shpejt dhe më objektivisht se SPAK.

Mjafton që SPAK t`i ishte referuar gjetjeve dhe vlerësimeve të Komisionit të Venecias, dhe do gjente aty një vlerësim objektiv dhe një lexim të qartë të asaj, që ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon, por edhe fajtorët se kush tentoi t’i rrëmbente Presidentit të drejtën e emërimit të gjyqtarit kushtetues, si dhe kush e la vendin 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

SPAK refuzoi ekspertizën e huaj dhe me vendimet e tij i dha mundësinë autorëve të krimeve penale të vijojnë në mbijetesën e tyre.

Drejtësia ka ende kohë për të folur!

E ardhmja u takon të vërtetave!” thuhet në reagimin e Tedi Blushit


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë