Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar përmes zëdhënësit Tedi Blushi, lidhur me pushimin e çështjes nga Gjykata e Posaçme. Të martën paradite, Gjykata e Posaçme vendosi pushimin e çështjes për ish-kreun e KED-së, Ardian Dvorani, duke rrëzuar kështu padinë e presidentit Ilir Meta, pas kërkesës që erdhi nga SPAK.
“U deshën plot 2 vite, që SPAK të kërkonte pushimin e procedimit penal ndaj personit nën hetim, z.Ardian Dvorani dhe ndaj ish-Ministres së Drejtësisë dhe vartësve të saj.
Vendimi i sotëm i Gjyqtarit të Seancës Paraprake, që miratoi këtë kërkesë të Prokurorisë për pushimin e çështjes penale të nisur 2 vite më parë, me kallëzim të Presidentit të Republikës, është i papranueshëm dhe do të ankimohet sipas rregullave procedurale dhe afateve, që përcakton Kodi i Procedurës Penale.
Kushdo, që ka konsumuar vepra penale dhe ka abuzuar me ushtrimin e funksionit publik, qoftë ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, ish-Ministër Drejtësisë, apo funksionar tjetër i lartë do të përgjigjen para drejtësisë”, thuhet në reagimin e Blushit.
Sipas tij, faktet dhe veprimet e faktuara nuk zhbëhen dot.
“Rëndësia e kësaj çështjeje, pikërisht për shkak të cenimit të besimit të publikut tek Drejtësia, nuk mund të sfumohet duke e zvarritur në kohë, dhe as me hetime të cekta, që derivojnë nga thelbi i çështjes.
Edhe një trupë ndërkombëtare ekspertize si Komisioni i Venecias veproi më shpejt dhe më objektivisht se SPAK.
Mjafton që SPAK t`i ishte referuar gjetjeve dhe vlerësimeve të Komisionit të Venecias, dhe do gjente aty një vlerësim objektiv dhe një lexim të qartë të asaj, që ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon, por edhe fajtorët se kush tentoi t’i rrëmbente Presidentit të drejtën e emërimit të gjyqtarit kushtetues, si dhe kush e la vendin 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.
SPAK refuzoi ekspertizën e huaj dhe me vendimet e tij i dha mundësinë autorëve të krimeve penale të vijojnë në mbijetesën e tyre.
Drejtësia ka ende kohë për të folur!
E ardhmja u takon të vërtetave!” thuhet në reagimin e Tedi Blushit
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje