U desh të kalonin 136 vjet nga Lidhja e Prizrenit që shqiptarët të kuvendonin përsëri të bashkuar, në Prizren edhe këtë herë, në 11 janar të vitit 2014 kur u zhvillua mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.
150 marrëveshjeve, protokolleve dhe memorandumeve të nënshkruara ndërmjet dy qeverive do t’u shtohen edhe disa të tjera që do të nënshkruhen nga kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti këtë të premte në mbledhjen e shtatë që po të mbahet në qytetin e Elbasanit.
Boja e hedhur në marrëveshje dypalëshe vazhdoi ndër vite edhe pse protagonistët nga ana e Kosovës kanë qenë të ndryshëm duke nisur nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Avdullah Hoti e Albin Kurti ndërsa në anën shqiptare mbetet sërish Rama.
Numri më i madh i këtyre marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë synuar në veçanti eliminimin e barrierave tregtare mes dy shteteve, në kuadër të një qeverisje të përbashkët strategjike.
Por, jo pak herë qeveritë janë kritikuar se marrëveshjet kanë mbetur vetëm në letër duke mos u zbatuar në praktikë.
Palët janë zotuar dhe kanë nënshkruar marrëveshje me qëllim garantimin e një tregtie të lirë dhe pa pengesa tarifore me njëra-tjetrën, edhe në kuadër të CEFTA-s, por burokracitë e kanë dëmtuar këtë bashkëpunim.
Shqipëria eksporton drejt Kosovës kryesisht lëndë djegëse, minerale, naftë bruto, energji elektrike apo materiale ndërtimi ndërsa Kosova drejt Shqipërisë eksporton kryesisht minerale të papërpunuara dhe produkte ushqimore, pije dhe patate.
Certifikata e niveleve të ndryshme të sigurisë së kontrollit që aplikohet për të njëjtin produkt nga Kosova dhe nga Shqipëria është një tjetër element pengues.
Në përpjekje për eleminimin e këtyre pengesave, u zhvillua mbledhja e dytë e përbashkët mes dy qeverive ku në krah të Edi Ramës në Tiranë ishte Isa Mustafa dhe ku u firmosën 11 marrëveshje, që siç u tha synonin thellimin e bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik.
Lëvizja e lirë e mallrave dhe heqja e burokracive doganore ishte një ndër marrëveshjet e para që u nënshkrua lidhur me sektorin ekonomik me qëllim që të rritej volumi tregtar mes dy vendeve dhe të ndërtohej një hapësirë e përbashkët ekonomike.
Energjia elektrike ishte shembulli i diskutuar lidhur me këtë duke qenë se Kosova pjesën dërrmuese të energjisë e prodhon nga termocentralet ndërsa Shqipëria nga hidrocentralet, duke plotësuar kështu njëra-tjetrën.
Për këtë u zotua se do të ndërtohej linja e transmetimit 400 Kw, që u quajt edhe si “Autostrada energjitike e Kombit” por përfundimi i kësaj linje u vonua dhe kur ajo u mbyll, një tjetër pengesë u bë edhe Serbia që bllokoi lidhjen e kësaj linje me rrjetin rajonal energjetik.
Sa i takon marrëveshjeve lidhur me bashkëpunimin politik palët janë zotuar për qëndrim të njësuar lidhur me proceset e integrimit në Bashkimin Europian, si dhe një koordinim i përbashkët diplomatik për të shtuar njohjet e Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizmat e institucionet ndërkombëtare.
U hapën disa konsullata të përbashkëta dhe u bë përfaqësimi i Kosovës nga ana e Shqipërisë në ato vende ku nuk ka përfaqësi diplomatike. Edhe pse u bënë disa hapa përpara, sërish pati disa ngërçe dhe u hasën qëndrime të kundërta, sidomos sa i takon çështjes së kufijve të Kosovës.
Nga marrëveshjet e zbatuara mes Kosovës dhe Shqipërisë sipas studimit të Institutit GAP dhe Riinvest, është funksionimi i Portit të Durrësit, ngritja e disa pikave të përbashkëta doganore dhe heqja e çmimeve të shërbimit Roaming ku ato fillimisht u ulën me 15% dhe më pas u eleminuan në vitin 2021. Ashtu siç ishte parashikuar në mbledhjen e pestë të përbashkët të qeverive e cila u mbajt në Pejë.
Mbledhja e gjashtë ndërqeveritare Shqipëri-Kosovë u mbajt në ambientet e “Pallatit të Kongreseve”, ku Edi Rama dhe Avdullah Hoti sëbashku me ministrat respektivë diskutuan dhe nënshkruan 14 memorandume bashkëpunimi të tjera në disa fusha, kryesisht me karakter social-ekonomik.
Krahas shkëmbimeve tregtare, dhe bashkëpunimeve në infrastrukturë, Rama tha se një çështje tjetër që ka pasur sukses lidhet në fushën diplomatike. Ai shtoi se dy vendet kanë patur një bashkëpunim të harmonizuar në këtë drejtim.
“Bashkëpunimi në fushën diplomatike ka funksionuar si një shtyllë bashkëpunimi dhe harmonizimi mes dy qeverive. Arritjet e forcave shqiptare në disa vende të rajonit, flasin shumë qartë mbi potencialin që kanë shqiptarët”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se ambicia kryesore është heqja e kufirit në zbatim të katër lirive të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor. Ai shtoi se kjo duhet të nisë fillimisht me heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Padyshim, që nuk mjafton dhe ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të katër lirive të BE në rajonin tonë, duke filluar nga më e thjeshta dhe më kuptimplota, heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Besoj që është e rëndësishme që Ministritë e Brendshme të intensifikojnë punën për të krijuar të dhënat e përbashkëta dhe për të mundësuar kontrollin në kohë reale të hyrjeve dhe daljeve në të gjitha pikat kufitare të perimetrit tonë të përbashkët, gjë që do të na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbur asnjë centimetër në frontin e betejës kundër aktivitetit të paligjshëm apo çdo forme abuzimi me lirinë e lëvizjes”, tha Rama.
“Duke parë edhe listën e marrëveshjeve besoj, që sot, hyjmë në një fazë të re të marrëdhënieve ndërshtetërore me qëllim lehtësimin e funksionimit të jetës së qytetarëve dhe bizneseve. Kemi vlerësuar se me implementimin e këtyre marrëveshjeve në shëndetësi, ekonomi, kulturë tregojmë përkushtimin dhe vendosmërinë për të zgjidhur shumë nga problemat që i preokupojnë qytetarët tonë”, tha Hoti.
Në këtë mbledhje është nënshkruar edhe një deklaratë e përbashkët ndërmjet dy qeverive dhe Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë, për t’i rekomanduar Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes të dy qeverive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje