Pak ditë më parë, Albin Kurti tha gjatë një interviste se ishte i gatshëm të votonte pro në një referendum të bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, nëse ky do referendum do të mbahej në të ardhmen.
Pro bashkimit u shpreh edhe Kryeministri Edi Rama, por ai shkoi përtej deklaratës së Albin Kurtit duke thënë se “besonte se një ditë ky referendum do të mbahej, por se kur dhe se si nuk mund të përgjigjej”.
“Nëse më pyesni për hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, do të votoja hapur pro, që të jemi të qartë. Nëse më pyesni a do të ndodhë apo jo, unë them që kjo do të ndodhë. Nuk e di kur do të ndodhë, si do të ndodhë, por që kjo do të ndodhë një ditë, them që po”, deklaroi Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Albin Kurtin.
Kryeministri u parapriu edhe kritikave që mund të mbërrijnë për këtë deklaratë nga Beogradi dhe aleatët e tjerë të Serbisë.
“Atyre që mund ta marrin dhe të dalin të bërtasin “Shqipëria e madhe” u them që fallxhorët nuk gjykohen. Se është një fall dhe nëse do të hidhja fall them që do të ndodhë. Se si apo kur, nuk e di. Fallin e kisha për këta që do të shkruajnë: U mblodhën në Elbasan, do të digjet Ballkani”, u shpreh ai.
Albin Kurti tha se në një proces kaq maadhor e historik, siç mund të jetë bashkimi kombëtar, politikanët janë shumë të vegjël për të ndikuar dhe për të caktuar data e mënyra si mund të ndodhë.
“Te çështja e bashkimit të shqiptarëve nuk e zgjedhim ne, por na zgjedh ai ne. Nuk mund të vendosemi ne mbi procese të tilla historike e të përcaktojmë data e mënyra”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje