Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për bashkëqeverisjen me arsyetimin se ai bie ndesh me Kushtetutën dhe një sërë ligjesh të vendit.
Në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca thuhet se përveç Kushtetutës, ligji bie shkel autonominë e pushtetit vendor, krijon institucione paralele dhe mbivendosje kompetencash me to, shkel parimin e sigurisë juridike, centralizon pushtet te një institucion në varësi direkte të Kryeministrit, bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe me parimet e funksionimit të administratës shtetërore të sanksionuara në kode dhe ligje të tjera.
Sipas arsyetimit të Presidencës, ligji i jep Kryeministrit kompetenca që tejkalojnë kompetencat e dhëna nga Kushtetuta në nenin 102 të saj.
“Në detyrat e Kryeministrit nuk është të krijojë Agjenci në varësi të tij, që të negociojnë midis qytetarit dhe Agjencive po në varësi të tij, apo në varësi të Këshillit të Ministrave, apo ministrive të tjera, kur administrata shtetërore e veçanërisht kur agjencitë nuk përmbushin kërkesat e ligjit dhe funksionet për të cilat janë krijuar dhe të ndërhyjë përmes një procesi negocimi për ta zgjidhur çështjen”, thotë Meta.
Presidenca thotë më tej se ligji centralizon pushtetin në dorën e Kryeministrit, që përmes kësaj agjencie shkel edhe autonominë vendore të bashkive.
“Një sistem i unitetit institucional që po synohet të realizohet me anë të legjitimimit të Agjencisë, do të shërbejë për të rigrupuar edhe organet e pushtetit vendor në një autoritet të vetëm qendror, e në fund si produkt do të gjendet, vetëm centralizim i pushtetit duke homogjenizuar hapësirat institucionale. Një parashikim i tillë në ligj bie ndesh me parimin e decentralizimit dhe të autonomisë së pushtetit vendor”, thuhet në vendimin e Presidentit.
Sipas Presidentit Meta, agjencia e re që krijohet ka kompetenca të paqarta dhe institucionet me kompetenca të paqarta krijojnë sjellje të paqarta, e për rrjedhojë vendimmarrjet apo ushtrimi i funksioneve prej tyre është e pritshme të krijojnë një situatë të theksuar të pasigurisë juridike për qytetarët.
Presidenti gjen shkelje edhe te procedura e miratimit, duke shkelur ligjin për konsultimin publik.
“Sipas neneve 6 dhe 7, të këtij ligji, organet publike janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që të krijojnë mundësi për pjesëmarrjen e publikut dhe të gjitha palëve të interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik, në proceset politikbërëse dhe vendimmarrëse, veçanërisht kur ndërmerret nisma për hartimin e një projektligji, që sipas titullit dhe qëllimit të tij, ka si qëllim “bashkëqeverisjen” me qytetarët. Çdo projektakt duhet të publikohet në regjistrin elektronik për njoftimin dhe konsultimin publik”, thotë Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje