Politike

LSI çon në Kushtetuese ligjin për bashkëqeverisjen: Do ngrejë strukturë spiunimi

Lëvizja Socialiste për Integrim do ta dërgojë ligjin për bashkëqeverisjen në Gjykatën Kushtetuese i miratuar te enjten në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës.

Ish-deputetja e LSI Silva Caka tha në një komunikim për mediat se ky ligj ngre një Agjenci që i ngjan komiteteve të dikurshme të partisë.

“Dje, maxhoranca e kapur dhe e inkriminuar, miratoi në seancë plenare antiligjin ‘Për bashkëqeverisjen’.

Ky ligj antikushtetues dhe antiligjor, tashmë i miratuar në rresht nga deputetët rilindas, ngre një Agjenci e cila është në grushtin e Kryeministrit dhe nuk ka asgjë më pak se komitetet e dikurshme të partisë.

Ngritja e kësaj strukture spiunimi, tregon se shteti ka rënë dhe korrupsioni ka dalë jashtë kontrollit, madje ajo që është akoma edhe më e frikshme është fakti që me këtë ligj antikushtetues, duan të legjitimojnë moskryerjen e detyrave, të vonojnë qytetarët në rivendosjen e të drejtës së cënuar, të kontrollojnë veprimtarinë e pavaruar të institucioneve të vetëqeverisjes vendore, si dhe të ushtrojnë presion mbi punonjësit e administratës deri në pikën e shantazhit apo kërcënimit.

Shkelja e rëndë e të dhënave personale, shqetësim madhor edhe i OSBE/ODIHR-it dhe Bashkimit Europian, në mënyrë të dëshpëruar, kërkon të legjitimohet, pra patronazhistët po synohen të bëhen spiunë të ligjshëm”, tha ajo.

Sipas saj, ligji bie ne kundërshtim edhe me disa ligje te tjera aktuale.

“Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje nuk është asgjë tjetër përveçse një organizëm gjobëvënësish shtetërorë, apo më saktë sekserë të gjobave, për të mbajtur gjallë klientelën e Kryeministrit”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë