Presidenti rus Vladimir Putin, tha se zgjerimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s në territorin ukrainas mund të jetë një “vijë e kuqe” për Rusinë.
Ai shtoi se Moska e sheh vendosjen e disa armatimeve perëndimore në tokën ukrainase si një shkak për reagim. Sipas agjencisë ruse të lajmeve “Interfax”, Putin ka qenë i prerë mbi çështjen e Ukrainës.
“Më pyetët për Ukrainën. Ku janë këto vija të kuqe? Ato janë kryesisht në krijimin e kërcënimeve ndaj nesh që mund të vijnë nga ky territor”, tha Putin në një fjalim në një forum ekonomik.
Më pas, kreu i Kremlinit paralajmëroi: “Nëse në territorin ukrainas shfaqen sisteme sulmuese, koha që ato të mbërrijnë në Moskë do të jetë 7-10 minuta, dhe 5 minuta në rastin e armëve hipersonike. Çfarë duhet të bëjmë ne nëse realizohet një skenar i tillë? Do të duhet të krijojmë diçka të ngjashme në lidhje me ata që na kërcënojnë. Dhe mund ta bëjmë tani”, tha Putin.
Presidenti shtoi se Rusia kishte testuar me sukses predhën hipersonike, që mund të udhëtojë me një shpejtësi nëntë herë më të madhe sesa ajo e zërit.
“Krijimi i këtyre kërcënimeve në Ukrainë përbën një vijë të kuqe për ne. Shpresoj të mos shkojë puna deri aty”. Frika për një luftë mes palëve është tepër e madhe, për shkak edhe të paralajmërimeve të vetë Ukrainës.
Dy ditë më parë, presidenti ukrainas Volodimir Zelenskij, zbuloi planin e një grushti shteti në Kiev nga ana e opozitës vendase, por me mbështetjen e Rusisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje