Bota

Shkëndija ukrainase mes Moskës dhe Uashingtonit

Tensioni i lartë mes Rusisë dhe Perëndimit në prag të takimit që shefat e politikës së jashtme të Uashingtonit dhe Moskës do të kenë të premten (nesër) në Stokholm.

Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, akuzoi Kremlinin se ishte gati për të pushtuar Ukrainën dhe për ta destabilizuar atë edhe nga brenda, ndërsa Rusia përgjigjet duke pretenduar se është Kievi ai që ka grumbulluar 125,000 ushtarë, gjysmën e ushtrisë së tij, pranë kufirit me Donbasin, ku popullsia rusisht-folëse shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj në vitin 2014.

Dhe ndërsa dy superfuqitë shpallën reduktime të reja në numrin e diplomatëve të tyre përkatës në ambasada, çështja e furnizimeve me gazin rus në Evropë rihapet, me presidentin bjellorus, Lukashenko, që kërcënon për të ndaluar kalimin në territorin e tij të metanit që vjen nga Siberia, nëse Polonia do të mbyllë zonën kufitare me ligj. Dhe në këtë rast, Moska e akrediton veten si paqësore, duke shpresuar se nuk do të ketë bllokim të tubacionit.

Blinken ishte shumë i ashpër në deklaratat e tij në Riga të Letonisë, pas një samiti të ministrave të Jashtëm të NATO-s, duke akuzuar drejtpërdrejt Kremlinin mbi bazën e informacioneve që do të kishin ardhur nga shërbimet sekrete të Ukrainës dhe CIA.

Ditët e fundit, presidenti ukrainas Zelenskij, kishte denoncuar përpjekjen për të organizuar një grusht shteti nga disa nga bashkëqytetarët e tij të mbështetur nga Rusia. Më pas ishte rritja e pranisë ushtarake ruse në kufi, e zbatuar “nën justifikimin e manovrave të kryera në mënyrë jo transparente”, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në të njëjtën kohë, megjithatë, ukrainasit kanë forcuar ndjeshëm kontigjentin e tyre, sipas Ministrisë së Jashtme ruse. Moska argumenton se Kievi po mendon të rimarrë Donbasin me forcë, në vend që të zbatojë masat e marrëveshjeve të paqes të arritura në Minsk nën kujdesin e Rusisë, Francës dhe Gjermanisë.

Përfshirë edhe faktin se Zelenskij refuzon të merret me separatistët dhe në vend të kësaj do të donte një bisedë të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Diçka që Putini nuk e pranon pasi, sipas qëndrimit të tij, ai ukrainas “është një konflikt i brendshëm që përfundimisht duhet të diskutohet mes palëve”.

Është e qartë se Kievi tenton gjithnjë e më shumë të mbështetet te aleatët e tij perëndimorë dhe për këtë arsye po thërret për t’u bashkuar me NATO-n.

Në atë rast, ai do të kishte mbulim të menjëhershëm të të gjithë Aleancës në rast të një lufte me Rusinë. Gjë që, natyrisht, Evropa dhe SHBA-të nuk janë të gatshme ta pranojnë.

Perëndimi nuk e pranon hipotezën e hyrjes në një konflikt të armatosur me Rusinë për Ukrainën. Aq sa Blinken, tha sot shumë qartë se në rast të një pushtimi rus të vendit fqinj, do të kishte “pasoja shumë të rënda ekonomike” dhe sigurisht jo një përgjigje ushtarake.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë