Politike

Negociatat e orëve të fundit para Kuvendit të 11 dhjetorit, nuk është ende gati dokumenti i ndryshimeve në statut

Një ditë para Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha, ajo që nuk ka ndryshuar nga lëvizja e Foltores është publikimi i emrave të delegatëve.

Dega Vlore njoftoi se 75% e delegatëve do të jetë nesër në Air Albania. Dega Devoll gjithashtu, ndërsa pritet Korça dhe dega 8 e Tiranës.

Por ajo që nuk po shkon nga parashikimet është dokumenti i ndryshimeve në statut, që do të paracaktoje rrugën që do të marrë të paktën një pjesë e Partisë Demokratike që në perceptim po duket si shumica.

Burime thanë për Gazetasi.al se dokumenti nuk është ende gati edhe pse pritej që të përfundonte fundjavën e kaluar.

Eshte pikërisht ky dokument që do tu serviret nesër delegatëve që do të marrin pjesë, numri i të cilëve sipas organizatorëve të “Foltores” do te jetë diku tek 4500 veta.

Ndryshimet në statut edhe pse i mveshin kundërshtimit të gjysmës tjetër në PD do të ishin bazat për të kuptuar se si do të funksionojë kjo lëvizje në të ardhmen.

Deri më tash është konfirmuar se kryetari shkarkohet automatikisht nëse humb zgjedhjet e përgjithshme ndërsa votëbesohet nëse nuk merr zgjedhjet lokale.

Sali Berisha foli në emisionin “Opinion” për një komision që do të ngrihet më pas, por pa specifikuar konkretisht.

Jozefina Topalli në anën tjetër është shprehur më herët se do të ngrihet një këshill me personalitete dhe se procesi do të zgjasë gjatë, madje edhe një vit. Edhe Edith Harxhi ka theksuar se 11 dhjetori do të jetë vetëm fillimi i procesit.

Atëherë ku ka ngelur procesi për dokumentin e shumëpërfolur të ndryshimeve në statut? A ka diskutime edhe jo zyrtare mes palesh kundërshtare për përmbajtjen e saj?

Kujtojmë se një pjesë e delegatëve që kanë firmosur për 11 dhjetorin kanë firmosur edhe për datën 18.

Por miratimi i një dokumenti nga ana e tyre me 11 dhjetor do të kompromentonte jo pak pjesëmarrjen në kuvendin e thirrur zyrtarisht nga Lulzim Basha më 18 dhjetor.

Deri më tani në Air Albania është ngritur skena, delegatet do të vendosen veçmas në plate nga anëtarët e Partisë Demokratike.

Delegatët do të verifikohen elektronikisht pasi janë pajisur më herët me barcode bashkëngjitur emrin mbiemrin dhe funksionin në parti.

Gjithçka duket se është gati, përveç asaj që është më kryesorja tashmë; Se çfarë do të ndodhe pas 11 dhjetorit.

Dokumenti (të paktën deri të premten e 10 dhjetorit në mesdite) nuk ishte ende gati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë