Në praninë e 4935 delegatëve dhe militantëve të shumtë të pranishëm në Air Albania, Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha ka shkarkuar zyrtarisht me votim të fshehte kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, me propozim të 7 deputetëve dhe 15% të delegatëve. Jo vetëm. Kuvendi i të shtunës i mbledhur nga njëra palë ka shkarkuar gjithë kupolën drejtuese të partisë dhe ka zhveshur nga funksionet edhe kryesinë aktuale me argumentin se nuk janë zgjedhur konform statutit.
Rreth orës 18.OO, Belind Këllici njoftoi se 4491 delegatë u përfshinë në votim. Pro shkarkimit të Bashës kanë votuar 4446 delegate, kundër 36 dhe 9 e kanë nxjerrë fletën te pavlefshme
Këllici njoftoi se Kuvendi do të qëndrojë në detyrë deri në mars 2022, nje proces i pandodhur me pare ndaj nuk kuptohet se si.
Me ndryshimet në statut servirur vetëm të shtunën delegatëve, Kuvendi ka shfuqizuar edhe vendimin e Lulzim Bashës për të pezulluar nga grupi parlamentar i PD-së, Sali Berishën.
Në dokumentin e ofruar të ndryshimeve në statut përfshihet edhe një nen ku thuhet se çdo akt i organeve të PD-së i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është shkarkuar për thyerje të rënda të statutit të PD-së dhe dëmtim të interesave politike dhe elektorale të saj
Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Lulzim Bashës do të kalojë për votim në bazë në datën 18 dhjetor, ditën kur Basha mban Kuvendin Kombëtar.
Interesant është fakti se të gjitha vendimet e Kuvendit, përfshi ato të ndryshimeve ne statut, do të shkojnë në gjykatë, aty ku pritet të fillojë edhe beteja ligjore nëse vete gjykata do ta pranojë, sa kohe që ka një statut të depozituar nga ana e Lulzim Bashës me logon dhe vulën e partisë.
Për gjithë procesin Kuvendi ka miratuar edhe një komision që e quan Komision Rithemelimi me 29 anëtarë, që do të marrë në dorë drejtimin e partisë deri më 22 mars 2022 kur do të thirret një Kuvend i ri.
Anëtarët e Komisionit janë: Agron Shehaj, Albana Vokshi, Aldo Bumçi, Arben Ristani, Belind Këlliçi, Blendi Himçi, Bujar Nishani, Çlirim Gjata, Edith Harxhi, Edi Paloka, Edmond Spaho, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Evi Kokalari, Flamur Noka, Genc Deromemaj, Genc Pollo, Gent Strazimiri, Rigels Muçollari, Ivi Kaso, Keltis Kruja, Klevis Balliu, Ledina Mandija, Luan Baçi, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi, Sali Berisha dhe Tritan Shehu.
Se si do të vijojë puna e këtij komisioni nga 11 dhjetori e pas dhe në çfarë ambientesh mbetet ende e paqartë.
Ajo që dihet është se procesi nis me krijimin e organeve të reja dhe paraprihet nga një proces anëtarësimesh të reja dhe verifikimi i anëtarësisë ekzistuese.
Në Kuvendin e thirrur nga Berisha delegatët votuan me ngritje dore për një dokument me 49 faqe ku sanksionohet vendosja e primareve, lejimi i fraksioneve, i referendumeve për vendime të rëndësishme të partisë,
zbatimi i parimit “1 anëtar 1 votë” për zgjedhjen e organeve në qendër dhe ato lokale, kryetari që humb zgjedhjet pavarësisht arsyeve i përfundon mandati menjëherë dhe pa asnjë ekuivok, dhe votëbesohet në anëtarësi nëse ai humbet lokalet.
Situata pas mbajtjes së Kuvendit në fakt është bërë edhe më kaotike, ku i paraprihet një procesi paralel brenda PD-së, një që përfaqësohet nga strukturat zyrtare dhe tjetra nga një komision i përkohshëm i rithemelimit që do të pushojë se ekzistuari më 22 mars 2022, atëherë kur është thirrur një kuvend i ri nga njëra palë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)
















Lini një Përgjigje