Politike

Rezoluta “Basha”: Kuvendi i Berishës, antiamerikan dhe nul! Këshilli mbështet Kryetarin

Shkarkimi i 10 anëtarëve të Kryesisë e Sekretariateve, që morën pjesë në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha ishte e njohura e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, thirrur nga Lulzim Basha.

E panjohura ishte rezoluta, teksti i së cilës zyrtarizon qëndrimin e Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij në Partinë Demokratike se Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha ishte thjesht një tubim dhe vendimet e tij nuk njihen.

“…thirrja e ketij tubimi me pretendimin se po mblidhte një Kuvend të Partisë Demokratike dhe të ashtuquajturat “vendime” shkelin të gjitha normat e Statutit të PD-së që rregullojnë funksionimin dhe vendimarrjen e saj si institucion politik; Vëren se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore”, thuhet në tekstin e saj.

Rezoluta thekson se lëvizja e Berishës synon delegjitimimin e institucioneve të PD-së dhe prishjen e saj si forca më perëndimore, duke e vënë përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për interesat personale të Berishës.

Më tej, nuk njihen vendimet, që cilësohen si nul, pa vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike dhe konfirmon Kuvendin e 18 dhjetorit.

“Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve, ku do të diskutohet, debatohet e vendoset në mënyrë demokratike për thellimin e demokracisë se brendshme dhe fuqizimin e PD-së përballë sfidave të kohës”, thuhet aty.

“Lëvizja “Berisha” për të shantazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç e deklaroi hapur në fjalën e tij, Sali Berisha hodhi dje bazat e një organizatë politike me frymëzim antiamerikan që vetëm me PD-në nuk ka e nuk do të ketë asnjë lidhje kurrë. Kjo është lëvizja e parë antiamerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës”, vijohet në rezolitë.

Partia Demokratike, thotë rezoluta, distancohet me forcë dhe dënon lëvizje të tilla që bien ndesh me përcaktimet identitare të saj, me interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, me marrëdhëniet strategjike jetike të Shqipërisë dhe Kombit shqiptar me SHBA.

Këshilli Kombëtar fton përmes rezolutës të gjithë demokratët që ishin në atë që e quajnë tubimin e 11 dhjetorit për shqetesimet e tyre legjitime, që nuk kanë lidhje me agjendën dhe interesat përsonale të Sali Berishës, të reflektojnë dhe të qëndrojnë të bashkuar me shumicën e demokratëve rreth historisë dhe vlerave të shenjta të Partisë Demokratike.

Në fund, Këshilli i jep mbështetjen e pakushtëzuar Lulzim Bashës dhe institucioneve të tjera të partisë.

“Këshilli Kombëtar mbështet të gjithë veprimtarinë dhe vendimarrjen e Kryetarit, Kryesisë dhe Grupit Parlamentare për mbrojtjen e interesit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj si opozita dhe altenativa e vetme për largimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e demokratëve si forcë qeverisëse”, thotë rezoluta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë