Sport

Shuhet “Mjeshtri i Madh” Ferid Berberi, një nga ikonat e shtangës

Një nga ikonat e peshëngritjes shqiptare, Ferid Berberi, është ndarë sot nga jeta. Ish-peshëngritësi, ish-trajneri dhe ish-drejtuesi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ka humbur betejën me një sëmundje në mushkëri në moshën 75-vjeçare.

Berberi ka qenë një nga figurat më të shquara të sportit të peshëngritjes në vendin tonë. Ai ka drejtuar me sukses ekipin e Dinamos dhe Kombëtaren e peshëngitjes, duke arritur rezultate të larta.

Ferid Berberi. Gazeta Si, 14 dhjetor 2021

Ferid Berberi ka lindur në Tiranë, më 6 dhjetor 1946. I diplomuar në Universitetin e Sporteve në Tiranë për edukim fizik, ai e filloi sportin e peshëngritjes me klubin e Dinamos, ku është shpallur kampion për 4 vite me radhë, nga 1972-shi në 1975-ën. Berberi ka marrë pjesë me Kombëtaren e peshëngritjes në garat ndërkombëtare të zhvilluara në Kinë dhe në Rumani, në vitet 1972 dhe 1975.

Për tri vjet, 1976-1979, Berberi ka drejtuar Dinamon dhe pastaj Kombëtaren e Shqipërisë deri në vitin 1985. Në krye të Dinamos, ka fituar titujt kampion 6 herë. Po ashtu, Berberi ka drejtuar edhe Kombëtaren e të rinjve në peshëngritje, me të cilën ka fituar dy Ballkaniada.

Në periudhën 1992-2000 Ferid Berberi ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm në Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

Ferid Berberi, Faruk Kalleshi dhe Ilir Meta. Gazeta Si, 14 dhjetor 2021

Mes vlerësimeve të shumta që Ferid Berberi ka marrë mund të veçohen titujt “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, ”Nderi i Sportit Shqiptar”. Ai është nderuar edhe nga presidenti Ilir Meta, të cilin edhe e ka stërvitur, me “Urdhrin e Kalorësit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë