Departamenti Amerikan i Shtetit, ka hedhur poshtë këtë të martë akuzat e bëra nga ish-kryeministri Sali Berisha ndaj ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Në përgjigje të pyetjes së “Zërit të Amerikës” lidhur me akuzat e bëra nga ish- kryeminstri Sali Berisha ndaj ambasadores Kim, se ajo po sillet si guvernatore në Shqipëri dhe se mbështet kryeministrin Edi Ramën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se, “Uashingtoni është i shqetësuar nga sulmet e pajustifikuara ndaj ambasadores tonë në Tiranë. Këto sulme të shëmtuara nuk përfaqësojnë popullin shqiptar”, shkruan VOA.
Siç e ka udhëzuar Uashingtoni, thekson zëdhënësi Price, ambasadorja Kim ka shpjeguar dhe zbatuar qartë politikat e Shteteve të Bashkuara, përfshirë vendosmërinë e Presidentit Biden për të mbajtur përgjegjës ata persona që përfshihen në korrupsion, ose minojnë demokracinë.
Shtetet e Bashkuara, thekson më tej zëdhënësi, vlerësojnë marrëdhëniet me popullin shqiptar dhe vitin e ardhshëm do të kremtojmë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Marrëdhëniet tona, – përfundon zëdhënësi, – i mbijetuan komunizmit dhe diktaturës për shkak të angazhimit të përbashkët për demokraci dhe respektit të ndërsjellë”.
Në Kuvendin e thirrur prej tij në 11 dhjetor në “Air Albania”, Berisha tha se ambasadorja amerikane në Tiranë po sillet si guvernatore, duke dalë jashtë misionit të saj diplomatik.
Edhe një ditë më parë, Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA-të, teksa fliste nga selia e PD para grupit të Rithemelimit siç e quan ai, tha se kur të marrë drejtimin e partisë do të ketë marrëdhënie të mira me Amerikën, por vetëm me ambasadorë, jo me guvernatorë, duke e cilësuar Yuri Kim si mbështetëse të qeverisë Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje