Në ditën që Sali Berisha zhvendosi online foltoren e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Tirana do të vizitohet nga zv.ndihmës Sekretari për Europën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar.
Diplomati i lartë i DASH do të mbërrijë në vendin tonë më datë 9 dhjetor, dy ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, thirrur nga Sali Berisha. Agjendë zyrtare nuk ka ende, por thuhet se ai do të takohet me Lulzim Bashën dhe Edi Ramën gjatë qëndrimit në Shqipëri.
Në diskutimet me Bashën nuk pritet që të mbesin jashtë zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, përsa kohë Escobar rikthehet në rajon, të cilin e vizitoi vetëm disa ditë më parë, kur u ndal në Bosnje dhe Serbi. Nga Serbia ai mori pjesë në një forum në kuadër të Ballkanit të Hapur.
Ndërkohë, në foltoren e zhvilluar përmes platformave online me mbështetësit përtej Atlantikut, Sali Berisha tha se lëvizja e tij është lëvizja më proamerikane që ka njohur Shqipëria. Ai përsëriti qëndrimin se Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken është keqinformuar në lidhje me vendimin që e shpalli “non grata” më 19 maj dhe akuzoi sërish George Soros se qëndron pas këtij vendimi.
Soros, tha Berisha, është armik i së djathtës shqiptare.
Berisha hodhi akuza edhe ndaj Ambasadores Yuri Kim. Sipas tij, Ambasadorja po përpiqet që t’i censurojë foltoren.
“Dy fjalë sa i përket zonjës ambasadore që shpesh bën rolin e sekretares ideologjike të PS. Dy momente për mua janë të papranueshme: Përgëzimi që u bëri zgjedhjeve në kudnërshtim të cdo kodi dhe së dyti thirrja që u bën gazetarëve për të vendosur censurë ndaj foltores së Sali Berishës që bën një shkelje të rëndë të Kushtetutës amerikane. Këto momente gjykoj unë, nuk përfaësojnë SHBA-në por George Soros. Megjithatë, nuk e humb respektin për vendin e madh të lirisë. Jam i bindur se PD në pushtet do ndërtojë marrëdhëniet më të shkëlqyera me SHBA-të”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje