Bota

Kaloi kulmin e valës ‘Omicron’, Afrika e Jugut heq shtetrrethimin

Afrika e Jugut, vendi i parë ku u identifikua varianti mjaft i transmetuehëm i Covid 19, “Omicron”, njoftoi se kishte kaluar kulmin e virusit pa një rritje të ndjeshme të numrit të vdekjeve. “Të gjithë treguesit sugjerojnë se vendi ka të ngjarë të ketë kaluar kulmin e valës së katërt”, të pandemisë, njoftoi Presidenca në një deklaratë, duke shtuar se do të hiqen disa kufizime shëndetësore dhe shtetrrethimi i natës (nga mesnata në orën 04:00).

“Ka pasur një rritje margjinale të vdekjeve në të gjitha provincat”, – vazhdon shënimi. Infeksionet u ulën me gati 30% javën e kaluar (89,781), krahasuar me javën paraardhëse (127,753). Dhe pranimet në spital ranë në tetë nga nëntë provinca.

“Megjithëse varianti Omicron është shumë i transmetueshëm, normat e shtrimit në spital kanë qenë më të ulëta se në valët e mëparshme”, – theksoi presidenca.

Lidhur me lehtësimin e paralajmëruar të kufizimeve, Këshilli i Komandës Kombëtare kundër koronavirusit (KKKK) do të monitorojë situatën dhe do të bëjë ndryshime nëse është e nevojshme ose nëse mbingarkesa në spitale rritet.

“Omicron”, me një numër të lartë mutacionesh që ngrenë shqetësime për rezistencën ndaj vaksinave, u identifikua për herë të parë në Botsvana dhe Afrikën e Jugut në fund të nëntorit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, varianti është aktualisht i pranishëm në rreth 100 vende.

Tejet ngjitës, ai prek edhe personat që janë vaksinuar ose që janë infektuar më herët me virusin. Vendi afrikan zyrtarisht më i prekur, Afrika e Jugut, ka raportuar më shumë se 3.4 milionë raste dhe 91 mijë vdekje nga Covid që nga fillimi i pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë