Politike

Shqipëria merr detyrën në KS, SHBA: Moment historik

Me nisjen e vitit të ri nisi edhe zyrtarisht detyra e Shqipërisë si një nga 10 anëtarët e përkohshme të Këshillit të Sigurimit, organi më i lartë vendimmarrës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Shqipëria u zgjodh në muajin qershor për herë të parë anëtare e Këshillit të Sigurimit pas 66 viteve anëtarësimi në OKB. Mandati zgjat dy vite. Marrja zyrtare e detyrës u përshëndet nga Ambasada e SHBA në Tiranë.

“Urime Shqipërisë në këtë arritje madhore për nisjen zyrtare të detyrës në Këshillit e Sigurimit të OKB, për herë të parë në histori. SHBA pret me padurim që të punojë me Shqipërinë për të adresuar në Këshillin e Sigurimit sfidat më madhore që përballet bota sot”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Marrja e detyrës në këtë Këshill është përshëndetur edhe nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka gjatë mesazhit urues për vitin e ri.

“Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit e tensioneve”, tha Xhaçka.

Kjo është hera e parë në 66 vite prej anëtarësimit në OKB, që Shqipëria fiton mandatin dy vjeçar për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ky këshill përbëhet nga 15 anëtarë. Pesë prej tyre (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina) janë të përhershëm dhe me të drejtë vetoje, ndërsa 10 anëtarët e tjerë janë me mandat dyvjeçar pa të drejtë vetoje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë