Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike, i ngritur në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha, por që Lulzim Basha nuk e njeh akuzon këtë të fundit se po vendos dyer të blinduara, duke e shndërruar selinë e partisë në bunkerin e tij personal.
Në një deklaratë, ky Komision u referohet ndryshimeve që kanë ndodhur në fillim të këtij viti në fasadën dhe derën hyrëse të Partisë Demokratike dhe një ditë para afatit të vendosur në ultimatumin e Sali Berishës, që i kërkoi të lirojë zyrën brenda datës 5 janar.
“Deputeti Lulzim Brava e nisi Vitin e Ri me avazin e vjetër të izolimit. Pasi izoloi veten nga 4446 delegatë dhe 43 385 anëtarë që firmosën shkarkimin e tij, ai ka vendosur në prag të protestës paqësore të demokratëve ta kthejë shtëpinë e tyre në bunkerin e vetmisë dhe pazareve të tij”, thuhet në deklaratë.
Komisioni e cilëson këtë “një akt turpi dhe paniku të denjë vetëm për një aparatçik të marrë peng. “Ai ndërron brava dhe po vendos dyer të blinduara për ta shndërruar shtëpinë e demokratëve, selinë e Partisë Demokratike, në bunkerin e tij privat”, vijon deklarata.
Deklarata mbyllet me një paralajmërim tjetër për Lulzim Bashën dhe për Edi Ramën.
“I kujtojmë Lulzim Bravës, që mendon se me dyer dhe brava do të mposhtë shumicën dhe pluralizmin në Shqipëri, se ata që shemben regjimin më gjakatar në ’90 nuk do të lejojnë kurrë asnjë derë, bravë, hekur apo shul të mbajë peng vullnetin e tyre të shprehur përmes votës së lirë. Partia Demokratike ka lindur si shtëpi e lirisë dhe e tillë do të vijojë të mbetet, kurse Lulzim Pengu së bashku me pengmarrësin e tij do të kenë fatin e atyre që bunkerizuan Shqipërinë”, mbyllet reagimi i Komisionit të Rithemelimit.
Më 5 janar skadon afati i ultimatumit të dhënë nga Sali Berisha për Lulzim Bashën, që ky i fundit të lirojë zyrën. Më 6, Berisha ka thënë se demokratët do “ta nxjerrin atë jashtë në mënyrë të kulturuar”, ndërsa më 8 janar ka thirrur një protestë kombëtare.

Ish-deputeti i PD-së, Genc Pollo shkruan në Facebook se të shtunën në 8 janar, komisioni i Rithemelimit dhe mbështetësit do të jenë aty para selisë.
“Montimi këto ditë i portave dhe i dritareve të blinduara në katin përdhes të selisë së Partisë Demokratike është sa i dënueshëm aq edhe qesharak.
Basha dhe ish zyrtarët do të përgjigjen për këtë.
Por në çdo rast selia duhet t’i kthehet organeve legjitme të PD siç kanë vendosur kuvendi dhe anëtarësia. Jo më vonë se 8 janar!
Të shtunën, 8 janar, ora 12:00 shihemi aty!!”, shkruan Pollo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje