Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, (përmes një njoftimi të nxjerrë në emër të PD) ka reaguar ashpër ndaj Sali Berishës dhe familjes së tij duke akuzuar se ish-kryeministri shoqërohet me trafikantë ndërsa familjarë të tij janë përfshirë në një skemë të pastër pastrimi parash.
Reagimi i selisë blu vjen pas deklaratës së Komisionit të Rithemelimit të ripostuar nga Berisha se të shtunën në orën 12.00 do të jenë në oborrin e selisë së PD-së, për të “liruar” zyrat nga Lulzim Basha.
“Partia Demokratike nuk do të jetë kurrë e hapur për trafikantët e drogës që shoqërojnë Sali Berishën në sulmin që po përgatit kundër Partisë Demokratike për të vendosur hallin e tij mbi të ardhmen e gjithë demokratëve.
Çdokush e ka të qartë se gjuha dhe aktet e tij kanë qëllim të nxisin dhunë, si opsionin e vetëm që i ka mbetur.
Sali Berisha mund të shoqërohet me trafikant droge të shpallur non-grata në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e organizatës kriminale B9.
Mund t’i ftojë në shtëpi, familjarët e tij mund të bëjnë edhe biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash, si dhe mund të ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojërat e fatit, por kurrë nuk kanë për t’u lejuar më të bëjnë biznes me sakrificën e demokratëve. Kurrë më!”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.
Më tej thuhet: “Shumica dërrmuese e anëtarëve të Kryesisë së Partisë, Këshillit Kombëtar dhe 5004 delegatë të Kuvendit Kombëtar, më 18 Dhjetor zgjodhën të ardhmen, zgjodhën t’i shërbejnë interesit të demokratëve, zgjodhën t’i shërbejnë vetëm interesit të Shqipërisë. Ne jemi krenarë që jemi partia e parë politike në Shqipëri dhe Rajon që i bashkohet nismës botërore të SHBA për të mbajtur jashtë vendimmarrjes në institucionet e partisë personat e shpallur non-grata për korrupsion, abuzim me pushtetin apo përfshirje në krimin e organizuar.
Kasafortizimi dhe bunkerizimi nuk janë metoda të Partisë Demokratike, por të celulave ilegale që të vetmin merak kanë karriget dhe zyrat e tyre.
Punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillimviti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë.
Selia qendrore e Partisë Demokratike ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e hapur për demokratët e sakrificave dhe kontributeve, por e mbyllur për ata që e kanë mbajtur peng Partinë Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve me shpresën se mund ta përdorin për t’u fshehur, mbrojtur apo rregulluar punët e tyre të pista”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje