Politike

‘Unë jam ai krimineli që u burgosa për ty’, anëtari i FRPD i drejtohet Bashës: PD s’mund të mbyllet me hekura

Pas Komisionit të Rithemelimit, një pjesë e anëtarëve të kryesisë së FRPD mbërritën në selinë e PD-së për të njëjtën arsye për të dhënë një deklaratë, sa kohë që dyert ishin ende të mbyllura.  

“Ne jemi një grup të rinjsh të FRPD që jemi thirrur sot për një mbledhje, për protestën dhe jemi përballur me mbylljen e të gjitha dyerve. Kjo është situatë e turpshme. Kjo seli nuk është pronë e askujt, është pronë e demokratëve, është pronë e të rinjve. Nuk është e nevojshme të njoftohet administrata. Është një mbyllje dyersh për çdo mendim ndryshe, për çdo mendim kundër. FRPD do jetë pjesë e protestës”, tha një nga anetaret e kryesisë aktuale të FRPD.

Ata kundërshtuan gjithashtu edhe heqjen e siglës së FRPD-së nga zyra ku zhvilloheshin mbledhjet ngjitur me PD, një proces, të cilin e bëri publik përmes një video, ish-kryeministri Sali Berisha.

Paralelisht me deklaratat që po jepnin në oborrin e selisë, një prej anëtarëve të FRPD ngjiti disa parulla të vogla në derën kryesore të selisë blu me mbishkrimin: “Jashtë pengu i qeverisë nga shtëpia e lirisë”.

“Ftoj mediat të ndjekin fjalën e një krimineli. Unë jam Mariglen Doçi, anëtar i kryesisë së FRPD dhe dua t’i them Lulzim Bashës, unë jam ai krimineli që po pëshpërisje në media dhe për shkak tëndin jam burgos, për të bërë ty kryeministër unë jam burgos. Si unë janë dhe 3300 qytetarë të tjerë, kriminelë, që janë proceduar, kanë qenë në burg për shkakun tënd, për të bërë ty kryeministër. PD nuk mund të mbyllet me hekura, ne nuk jemi kriminelë, jemi idealistë që e duam PD-në të çliruar jo me si këto metodat e tua. PD nuk duhet të ketë as dyer sepse është simbol i lirisë. Më datë 8 do çlirojmë selinë tonë nga shpura jote dhe më pas hap pas hapi edhe Shqipërinë”, tha një tjetër anëtar i kryesisë së FRPD, Mariglen Doçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë