Politike

Protesta e 8 janarit, Bardhi: Berisha kërkon të përçajë demokratët

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka deklaruar se ish-kryetari Sali Berisha po dëmton interesin elektoral të partisë me mashtrime dhe retorikë përçarëse.

Në një dalje për mediat, Bardhi tha se Berisha po ngre kauza të rreme deri tek thirrja e një proteste para selisë së PD-së kundër partisë së tij për hallin e tij personal.

Bardhi shtoi se kjo protestë ka për qëllim që të bunkerizojë PD-së, ashtu sikurse është bunkerizuar ai me gjithë familjen e tij.

“Sali Berisha po përpiqet të mbivendoset me dhunë dhe me retorikë përçarëse. Janë skena teatrale inskenime, sajesa dhe akte apo veprime kundër interesit politik të PD. Shpikje e një kauze çdo ditë, si ajo e protestës kombëtare në oborrin e PD se po lyhen muret dhe po rregullohen ambientet e punës, është keqpërdorimi më i madh që një demokrat i bën një demokrati”, tha ai.

Sipas zyrtarit demokrat, “kjo protestë ka një qëllim të bunkerizojë PD njëlloj siç është bunkerizuar Berisha dhe familja e tij. Që nga 9 shtatori, nga Berisha keni dëgjuar gënjeshtra që ta shndërrojë PD në shërbim të hallit të tij personal. Firmat e delegatëve u mbyllën në kasafortë. U tha se do hapen firmat më 11 dhjetor. Atë ditë në vend të transparencës u mbyllën dyert dhe u nxorën jashtë edhe përfaqësuesit e medias. Më pas keni dëgjuar nga goja e Sali Berishës dhe ata që kanë vendosur interesin e PD mbi demokratët, se u realizua një referendum ku morën pjesë 44 mijë anëtarë të partisë”, vijoi ai.

Ai akuzoi Berishën se ka manipuluar të ashtuquajturin referendum sipas tij, duke çuar në përplasje demokratët.

“Në 31 vite politikë, ka treguar se nuk vendos asgjë mbi interesin personal. Faktet e manipulimit qesharak edhe të farsës së quajtur referendum, tregojnë braktisje që e shtyjnë drejt thirrjes për dhunë dhe përplasje mes demokratëve si mënyra idealet dhe më e mirë për t’i dhënë frymëmarrje qeverisë së Edi Ramës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë