Politike

Një ditë para protestës, palët brenda PD i kthehen betejës për dy proceset paralele, nxjerrin të palarat

Kush ka shumicën në PD? Të dyja palët kundërshtare brenda PD-së janë përpjekur të flasin në emër të saj ndërkohë që pak ose aspak nga ta dyja palët nuk kanë folur me emra konkrete për të bërë transparencën e dy proceseve paralele, pra referendumi për shkarkimin e Bashës në njërën anë dhe Kuvendi i 18 dhjetorit në anën tjetër.

Një ditë para protestës se PD-së në oborrin e selisë blu ku me gjasë pritet shumëçka (nisur nga mënyra se si palët janë pozicionuar), palët kanë filluar të flasin më në fund me emra duke nxjerrë të palarat e secilit proces që në fund të fundit drejt asaj do të shkohet sa kohë që nuk ka marrëveshje mes tyre.

Të enjten mbasdite, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi doli në një konferencë për shtyp për të denoncuar procesin në një qendër votimi nga referendumi për shkarkimin e Bashës e pikërisht në degën numër 8 Tiranë aty ku njihej edhe si qendra e Bashës.

Edhe pse deri me tash, asnjë prej zyrtarëve të PD-së nuk kish marrë mundimin që t’i futej transparencës së saj duke e injoruar si proces, tani faktet po nxjerrin të kundërtën.

Ne foto: Sekretari i Pergjithshem i PD-se, Gazment Bardhi para selise se PD

Duke iu referuar pamjeve filmike që siguroi ABC News në një qendër votimi për referendumin, Bardhi tha:  “…Sot çdo shqiptar, çdo demokrat ka parë se si nga 117 anëtarë të PD, nga rreth 190 individë që kanë hyrë brenda ambientit ku bëhej votimi, rezultati u shpall se kishin marrë pjesë në atë votim më shumë se 760 anëtarë të PD.

E vërteta është se vetëm në atë degë, ku secili prej jush por edhe opinioni publik ka mundësinë të shikojë falë këtij televizioni por edhe mediave të tjera që nuk e kanë censuruar këtë lajm, 12 orë filmime nga momenti i hapjes së derës e deri në momentin kur është mbyllur procesi i votimit sesi nga 1300 anëtarë që ka gjithsej Dega 8, që është në mes të Tiranës, kanë marrë pjesë jo më shumë se 117 anëtarë, pra më pak se 10% e anëtarëve, pjesë përbërëse të kësaj dege të partisë”.

Ndërkohë, të premten paradite, teksa një përfaqësi e FRPD dhe e Komisionit të Rithemelimit bënë vizitën e radhës në oborrin e PD-së ku gjetën sërish dyert e mbyllura, Sekretari i Përgjithshëm i FRPD-së, Grigels Muçollari, foli për emrat e publikuar nga Gazment Bardhi lidhur me delegatët e 18 dhjetorit të thirrur nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.   

“Transparencë të emrave që ka lexuar deputeti Bardhi ka mashtruar opinionin e ata pak demokratë që sot e mbështesin atë apo deputetin Basha.

Ka thënë 4237 emra që pretendon se kanë qenë të pranishëm në datën 18 dhjetor në antikuvendin e tyre, delegatë që Bardhi i ka lexuar janë 1534 ku ndër këta mbi gjysma s’kanë qenë të pranishëm aty.

Mbi 200 anëtarë Bardhi i ka lexuar 3-4 herë për të rritur në mënyrë artificiale prezencën, si Amarda Shanaj, Arben Shkoza, Arjan Axhiku, Arjan Karriqi , Artan Lika etj.

Ka bërë tjetër edhe që 831 emra i ka sajuar përcudnuar emrat në mënyrë të qëllimshme. Këta njerëz nuk ekzistojnë s’janë njerëz realë, janë emra që s’janë anëtarë Kuvendi as anëtarë të PD janë shtuar në mënyrë artificiale

Ne verifikuam 100 emra në Gjendje Civile dhe nga këta 66 janë emra të shpikur që nuk ekzistojnë por edhe mund të kenë vdekur, fantazinë e kanë zero për të krijuar edhe një emër të bukur. Hetoni e nxirrni të vërtetën“, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë