Politike

Fotot që po karikojnë përplasjen në PD, flluskë sapuni apo paralajmërim i një situate degraduese?

Prej 24 orësh rrjetet sociale janë ushqyer rëndshëm me disa foto të ambienteve të brendshme të PD-së ku prej ditësh, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi po këmbëngul e po bëhen punime dhe rikonstruksione zyrash.

Të enjten në mbrëmje u bënë virale disa foto ku shiheshin struktura hekuri brenda korridoreve të PD-së, për funksionin e të cilave në emisionet televizive të së mbrëmjes, u tha shumëçka deri edhe se shërbenin për të blinduar dyert ne pamundësi që mbështetësit e Berishës të futeshin brenda të shtunën.

Por Lulzim Basha tha i ftuar në emisionin e “Open” se asgjë nuk ishte e vërtetë.

Basha nuk foli shkoqur por e kaloi me ironi gjithë debatin dhe fotot që zienin rrjetin.

“…Keni harruar që kemi edhe tanke, edhe snajper, marinsa, janë të gjitha marrëzira, është e trishtueshme që viti i ri shqiptarët i gjen në një ‘giallo’ të tillë të servirur, ndërsa ata përballen me problem reale, ekonomike…”, tha Basha.

Foto e shpërndarë nga zyra e shtypit e PD në mënyrë ironike

Më vonë, vetë PD-ja përcolli jo zyrtarisht (vetëm për një media) një reagim të thatë se strukturat po vendoseshin për të izoluar panelin elektrik dhe fibrën optike të godinës meqënëse ka pasur probleme dhe se ato nuk kishin lidhje me dyert

Debati ka vijuar në rrjetet sociale edhe me një video të shkurtër ku një gazetar i “Syri.net” u fut nga dritarja e hapur e banjos në ambientet e selisë ku në ato pak sekonda u duk një tjetër strukture hekuri në tokë.

Të premten debati vijoi aty ku u la një ditë më parë kur sërish anëtarë të Komisionit të Rithemelimit shkuan në PD për të përforëcuar faktin se ambientet e selisë po blindoheshin, sa kohë që dyert e partisë ishin sërish të mbyllura.

Një prej anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit, ish deputetja e PD Mimoza Hajdarmataj tha të premten se: “duhet të ishte gjithë kjo javë një javë punimesh dhe të ishim një seli të hapur që demokratët të përgatiten për aksionin e madh por vetëm në këtë seli nuk përgatitet më asnjë aksion kundër qeverisë. Nesër demokratët do vijnë nga gjithë Shqipëria t’ia kthejnë selinë partisë vetes së vet shtëpinë e tyre”.

Se çfarë po ndodh realisht brenda dyerve të PD-së aty ku as media nuk po ftohet të shikojë, do të kuptohet vetëm ditën e shtunë për të kuptuar nëse e gjitha kjo ishte një flluske sapuni e përdorur nga palët për të karikuar mbështetësit, apo vërtetë situata brenda kësaj force politike ka degraduar deri në kufijtë e të pabesueshmes.   


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë