Gazeta Si –Shqipëria ka bërë hapa pas në luftën kundër korrupsionit vitin e kaluar, pavarësisht se 2021 u konsideruar si viti i SPAK dhe disa aksioneve të bujshme të tij. Ky është vlerësimi i Transparency International, që ka ulur nga 36 në 35 pikë indeksin e korrupsionit për vendin tonë.
Në raportin e TI theksi vihet sidomos te liria e medias dhe e tubimit gjatë pandemisë, faktorë që sipas raportit kanë rrëzuar me gjashtë vende Shqipërinë në renditjen indeksin global të luftës kundër korrupsionit.
“Në Shqipëri gazetarët përballen me padi dhe frikësime, përfshirë kontrollin e tepruar të informacionit në lidhje me reagimet ndaj COVID-19. Për më tepër, shqetësime për dhunën e policisë gjatë protestave dhe shkelje të lirisë së grumbullimit janë regjistruar gjatë gjithë pandemisë”, thuhet në raport.
Lidija Prokiç, këshilltare rajonale e organizatës thotë se mund të duken sikur këto elementë nuk kanë lidhje me luftën kundër korrupsionit, por e vërteta është ndryshe.
“Ka pasur përpjekje për të miratuar ligje që frenojnë seriozisht lirinë e shprehjes dhe këto mund të mos duken direkt të lidhura me anti-korrupsionin, por në të vërtetë janë. Që mekanizmat kundër korrupsionit të funksionojnë mirë, që vendet të kenë sukses në luftën ndaj korrupsionit, ato kanë nevojë për media të lirë, kanë nevojë për shoqëri të lirë civile”, tha ajo për Zërin e Amerikës.
Po ashtu zonja Prokic thotë se janë vënë re “disa reagime joproporcionale të forcave të rendit kur bëhet fjalë për protesta publike, protesta të qytetarëve”.
Raporti thotë se pandemia dhe masat e vendosura për frenimin e saj u përdorën gjithashtu si një justifikim për të reduktuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien për prokurimet publike dhe shpenzimet e ndihmës së huaj, duke lejuar që korrupsioni të përhapet gjerësisht. Fenomeni nuk duket vetëm shqiptar.
“Shqetësimi ynë lidhur me prokurimet publike në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë është fakti se qeveritë kanë përdorur pandeminë e Covid-it si pretekst për të mos dhënë informacione për shpenzimet publike”, thotë ajo.
Raporti vlerëson se ndryshimet në ligjin për prokurimet publike janë pozitive, por ajo thekson se ato duhet të zbatohen “në mënyrë konsistente, të paanshme dhe pa asnjë përjashtim”.
Sipas Prokiç, në 10 vitet e fundit Shqipëria ka mbetur pothuajse në vendnumëro.
“Kur flasim për Shqipërinë këtë vit, rezultati është 35 pikë, ndërsa për shembull, dhjetë vjet më parë, rezultati i Shqipërisë ishte 33 pikë, kështu që mund të themi vetëm se ka pasur shumë pak përparim në këtë periudhë 10 vjeçare dhe kjo sigurisht nuk është diçka për të cilën mund të jemi optimistë”, deklaroi këshilltarja e TI.

Në dekadën e fundit, niveli më i ulët ka qenë në vitin 2013, ndërsa më i larti në vitin 2016, kur u miratua reforma në drejtësi. Raportet e TI pas 2016-s vlerësojnë miratimin e reformës në drejtësi, por ato vënë theksin te zbatimi i saj.
“Ajo që mungon është vullneti politik për ndryshim real, ndryshim praktikash, ndryshim të sjelljes institucionale, në të njëjtën kohë që miratohen ndryshime në ligje dhe ndërmerren rregullore të reja”, thotë Prokiç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje