Politike

Raporti i TI, Basha: Lufta kundër korrupsionit, interes kombëtar. Meta: Duhet reflektim

Gazeta Si-Duke iu referuar raportit të fundit të Transparency International, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, komentoi në Twitter se lufta kundër korrupsionit duhet të mbetet interesi ynë kombëtar

“Raporti i fundit i “Transparency International” konfirmon se armiku i mirëqenies së shqiptarëve është korrupsioni. Përhapja e tij në çdo nivel të qeverisë Rama po e mban Shqipërinë në vendnumëro. Lufta kundër korrupsionit është sot interesi ynë kombëtar, për të çliruar vendin dhe institucionet e tij nga të korruptuarit. Ndonëse një grusht i vogël njerëzish po mundohen ta mbajnë peng të ardhmen, ajo tashmë ju përket shqiptarëve”, shkruan ai

Për përmbajtjen e raportit reagoi edhe Presidenti Ilir Meta.

“Ndërsa shtetet e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë shënuar progres të ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit, vendi ynë ka vazhduar përkeqësimin.

Në raportin e përvitshëm të Organizatës prestigjoze Transparency International, për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë, Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë.

Këto të dhëna, për fat të keq, përputhen plotësisht me bindjen dhe perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve, por edhe me paralajmërimet që kam bërë prej kohësh sa i përket nivelit të ulët të demokracisë në vend, mungesës së respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, shfrytëzimit të pandemisë për të forcuar autoritarizmin, mungesën e llogaridhënies në të gjitha nivelet, abuzimet me fondet publike nëpërmjet koncensioneve, PPP-ve dhe inceneratorëve, situatë e rëndë që vijon të vrasë shpresën dhe të detyrojë gjithmonë e më shumë shqiptarë të largohen nga vendi, për ta ndërtuar jashtë Shqipërisë të ardhmen e tyre.

Gjendja është shumë e rëndë dhe kërkon reflektim të menjëhershëm, efektiv dhe të përgjegjshëm!”, komenton Meta në Facebook


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë