Bota

Mali i Zi drejt qeverisë së re, opozita voton kundër kryeministrit Krivokapiç

Parlamenti i Malit te Zi votoi me shumicë votash rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç. Mosbesimin e qeverisë e votuan 43 deputetë të opozitës dhe të grupit parlamentar “Bardhezi”, kurse 11 ishin kundër (Demokratët, të Drejtat dhe Mali i Zi i Bashkuar).

Para votimit, deputetët e Frontit Demokratik (DF), Lëvizjes për Ndryshim (PzP) dhe Partisë Popullore Socialiste (SNP) u larguan nga salla plenare.

Në total votuan 54 deputetë, për mosbesim 43 deputetë, kundër mosbesimit, 11 deputetë, kështu që Kuvendi ka votuar mosbesimin e qeverisë së Malit të Zi. Demokratët thanë se votuan “kundër tradhtisë” dhe “kundër mosbesimit”.

Krivokapiç la sallën, pasi deputetët vetuan kundër miratimit të rendit të ditës për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, të kërkuar nga ai, e cila u votua vetëm nga 29 deputetë.

Një ditë më parë në Parlamentin e Malit të Zi, nuk mori mbështetjen e shumicës nisma e kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç për shkarkimin e Zv/ Kryeministrin Abazoviç.

Krivokapiç e akuzoi zotin Abazoviç se, “me konceptin e qeverisë së pakicës po mashton opinionin dhe po injoron rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi”.

Kërkesat e ndërsjella për shkarkimin e ekzekutivit në Mal të Zi janë epilogu i krizës disa mujore, si ndërmjet parlamentit dhe qeverisë, ashtu edhe brenda vetë qeverisë.

Si reagim ndaj përpjekjeve për zgjidhjen e krizës në institucionet e sistemit, ditët e fundit janë organizuar protesta në disa qytete malazeze, të drejtuara kundër Zv/Kryeministrit Abazoviç, por edhe të gjithë atyre që mbështesin konceptin e qeverisë së pakicës.

Kështu, Mali i Zi rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme, nëse politikani me origjinë shqiptare do të dështojë në misionin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë