SHBA dhe Shqipëria do të jenë bashkë autorë të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
Me këtë rol në tryezën drejtuese të OKB, kryeministri Edi Rama tha përmes një konference për shtyp se Shqipëria merr një përgjegjësi të madhe, dhe ngjit një shkallë të re në partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të njëjtin angazhim konfirmoi edhe ministrja Për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaccka.
“Krijimi i këtij çifti SHBA dhe Shqipëri në Këshillin e Sigurimit për të qenë bashkëpenëmbajtës të çështjes së Ukrainës është ndërmarrë për të garantuar një angazhim aktiv dhe të vazhdueshëm me nisma konkrete që të dyja vendet tanimë partnerë të ngushtë në këtë proces do të ndërmarrin, gjë që konfirmon qartësisht një pozicion paekuivok të vendit tonë dhe nga ana tjetër duke qenë aktiv në një çështje kaq akute si kjo e Ukrainës, por edhe të gatshëm për punë konkrete në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ne faktikisht përkufizojmë edhe me qartë në sytë e të gjithëve, atë që dëshirojmë të jetë roli ynë, një forcë që kontribuon për të mirën…”, tha Rama, duke nënvizuar disa herë gjatë konferencës për shtyp se rruga e zgjidhjes është vetëm ajo e bisedimeve.
A ka një qëndrim kryeministri Edi Rama për letrën dërguar nga Rusia vendeve anëtare lidhur me Ukrainën?
“Më tregoni një qeveri tjetër që është marrë me atë letër, sepse ajo letër nuk i drejtohet Shqipërisë, ajo letër i drejtohet të gjithë vendeve anëtare të NATO-s dhe të OSBE-së dhe asnjë qeveri nuk është marrë me atë letër publikisht. Çdo qeveri e ka marrë atë letër, e ka lexuar, por e lexon, ndërkohë që qëndrimet tona janë publike, janë të qarta, janë të drejta besoj unë.
Ne nuk kemi asnjë problem në marrëdhëniet tona bilaterale me Rusinë. Rusia nuk është një vend armik i Shqipërisë, por ne kemi një ndarje shumë të qartë në këtë pikë dhe gjithë zhurma për letrën është pjesë e një zhurme folklorike në katundin e Partisë Demokratike, që ta themi qartë. Nuk ka lidhje fare me ne dhe me qeverinë dhe me marrëdhëniet ndërkombëtare e me Ukrainën, e me Rusinë e me të gjitha. Është një zhurmë brenda atij katundi mes të marrëve që kanë marrë peng qytetarët e mirë dhe të arsyeshëm demokrat”, u përgjigj Rama.
A është Rusia një rrezik real për një sulm ndaj Ukrainës dhe a rrezikon e gjithë Europa, ishte një tjetër pyetje drejtuar Ramës.
“Unë ndaj mendimin e shumë të tjerëve, që ky është një konflikt goxha i rrezikshëm dhe tensioni në rritje është patjetër me një potencial rrezikshmërie të lartë dhe bëj pjesë në atë grup njerëzish që fatmirësisht nuk janë pak, që besojnë se rruga është bisedime, bisedime, bisedime me Rusinë, për të gjetur pika çtensionimi e për të hapur një proces shumë të vështirë dakordësimesh. Është diçka jashtëzakonisht e komplikuar nuk diskutohet, por nga ana tjetër ky është një nga ato raste kur ne jemi si të thuash ndajmë barrën me të mëdhenjtë e kësaj bote, por nuk kemi barrën e tyre, që është barra e marrjes së vendimeve përfundimtare.
Unë uroj që vendimet e tyre të jenë të arsyeshme, të janë largpamëse e të jenë të bazuara tek vullneti për t’i zgjidhur problemet me bisedime. Këtë uroj, kështu që patjetër që konflikti është me një potencial rrezikshmërie shumë të lartë. Është shumë pak, por e sigurt”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje