Politike

Presidenca padit Kuvendin në prokurori: Manipuloi provat në Kushtetuese

Presidenca ka akuzuar Kuvendin se ka ndërhyrë te provat e paraqitura në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar pretendimet e saj se Komisioni Hetimor parlamentar u ngrit në maj të vitit të kaluar në shkelje të afateve të parashikuara nga rregullorja dhe ligji.

“Kemi kundërshtuar vërtetësinë e një prove të depozituar së fundmi nga Kuvendi, të depozituar në datën 4 shkurt 2022, që i përcjell Gjykatës Kushtetuese disa prova të reja shtesë, ku përfshihet edhe urdhri numër 19 datë 5 maj 2021 dhe që ka të bëjë me mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 7 maj 2021”, deklaroi këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishaj.

Dervishaj tha se gjatë shqyrtimit me vëmendje, rezulton se urdhri i depozituar nga Kuvendi si provë në Gjykatën Kushtetuese nuk është i njëjtë me të njëjtin urdhër të publikuar në faqen online të Kuvendit, si për nga data kur thuhet se është nxjerrë, ashtu edhe në përmbajtje.

“Na rezulton një ndërhyrje, apo manipulim prove. Urdhri që Kuvendi i depozitoi si provë Gjykatës Kushtetuese mban datën 5 maj 2021. Sipas urdhrit të publikuar në faqen e Kuvendit, mban datën 6 maj 2021. Kjo është ndërhyrja e parë. Ndëryrja e dytë është te pika 20, ku është hequr fjala ‘miratim’, është shtuar togfjalëshi ‘dhe mosngritjen’ dhe është hequr fare togfjalëshi ‘bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh’, tha Dervishaj.

Për këto arsye, Presidenca i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese pavlefshmërinë e kësaj prove të dorëzuar nga Kuvendi dhe rrëzimin e saj, ndërsa njoftoi edhe dorëzimin e një padie ndaj Kuvendit për këtë manipulim, sic e quajti këshilltari ligjor i Presidentit Meta.

Ndërkohë, vetë Presidenti Meta e cilësoi “marrëzi të Kuvendit të ri, që ndjek me besnikëri të plotë rrugën e manipulimit dhe falsifikimit të provave nga Kuvendi një partiak”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë