Presidenca ka akuzuar Kuvendin se ka ndërhyrë te provat e paraqitura në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar pretendimet e saj se Komisioni Hetimor parlamentar u ngrit në maj të vitit të kaluar në shkelje të afateve të parashikuara nga rregullorja dhe ligji.
“Kemi kundërshtuar vërtetësinë e një prove të depozituar së fundmi nga Kuvendi, të depozituar në datën 4 shkurt 2022, që i përcjell Gjykatës Kushtetuese disa prova të reja shtesë, ku përfshihet edhe urdhri numër 19 datë 5 maj 2021 dhe që ka të bëjë me mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 7 maj 2021”, deklaroi këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishaj.
Dervishaj tha se gjatë shqyrtimit me vëmendje, rezulton se urdhri i depozituar nga Kuvendi si provë në Gjykatën Kushtetuese nuk është i njëjtë me të njëjtin urdhër të publikuar në faqen online të Kuvendit, si për nga data kur thuhet se është nxjerrë, ashtu edhe në përmbajtje.
LIVE – Këshilltari i Presidentit për Çështjet Ligjore, z.Bledar Dervishaj denoncon marrëzinë më të fundit të Kuvendit të ri, që ndjek me besnikëri të plotë rrugën e manipulimit dhe falsifikimit të provave nga Kuvendi njëpartiak. https://t.co/ZpYaBrpE82
— Ilir Meta (@ilirmetazyrtar) February 7, 2022
“Na rezulton një ndërhyrje, apo manipulim prove. Urdhri që Kuvendi i depozitoi si provë Gjykatës Kushtetuese mban datën 5 maj 2021. Sipas urdhrit të publikuar në faqen e Kuvendit, mban datën 6 maj 2021. Kjo është ndërhyrja e parë. Ndëryrja e dytë është te pika 20, ku është hequr fjala ‘miratim’, është shtuar togfjalëshi ‘dhe mosngritjen’ dhe është hequr fare togfjalëshi ‘bazuar në kërkesën e një grupi deputetësh’, tha Dervishaj.
Për këto arsye, Presidenca i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese pavlefshmërinë e kësaj prove të dorëzuar nga Kuvendi dhe rrëzimin e saj, ndërsa njoftoi edhe dorëzimin e një padie ndaj Kuvendit për këtë manipulim, sic e quajti këshilltari ligjor i Presidentit Meta.
Ndërkohë, vetë Presidenti Meta e cilësoi “marrëzi të Kuvendit të ri, që ndjek me besnikëri të plotë rrugën e manipulimit dhe falsifikimit të provave nga Kuvendi një partiak”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje