Politike

Lufta kundër korrupsionit, Kim në takim me Ramën: Qeveria ka përgjegjësi më të mëdha

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim u takua këtë të mërkurë me Kryeministrin Edi Rama, para se ky i fundit të vizitojë Uashingtonin, ku pritet edhe një takim me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.

Dy kanë qenë temat e bisedës në këtë takim, sipas deklaratës së Ambasadës Amerikane, lufta kundër korrupsionit dhe situata në Ukrainë dhe kontributi që mund të japë Shqipëria si anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB dhe e NATO-s.

Për temën e parë, Kim i mëshoi përgjegjësisë më të madhe që ka Qeveria në krahasim me aktorët e tjerë politikë e civilë.

“Ambasadorja Kim nënvizoi se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara, duke vërejtur se barra e përgjegjësisë është natyrshëm më e madhe mbi ata që qeverisin. Ata biseduan gjithashtu mbi rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, përparimin historik në forcimin e marrëdhënies sonë në mbrojtje dhe hapat e mëtejshëm për të rritur tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA.

Për Ukrainën, njoftimi thotë se Ambasadorja Kim përshëndeti “mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën përballë agresionit rus, qoftë si aleate e NATO-s ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku SHBA-të janë krenare që do të punojnë me Shqipërinë si “bashkë-penëmbajtëse” për Këshillin në çështjet e Ukrainës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë