Kryeministri Edi Rama nga Washingtoni zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët shqiptarë, pas takimit të së martës me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.
Rama u pyet konkretisht për konfliktin në Ukrainë, që ishte edhe objekti kryesor i takimit me Blinken.
Sipas kreut të qeverisë, Rusia nuk është një vend armik apo kundërshtar, por Shqipëria do të qëndrojë në një linjë me aleatët perëndimor, SHBA-të.
“… Ne nuk kemi asnjë problem tonin me Rusinë, nuk është një vend armik, kundërshtar dhe këtë e kam thënë në çdo instancë. As i joni dhe as i gjithë aleancës sonë. Është një vend konkurrent për arsye të njohura të gjeopolitikës. Edhe gjatë kohës që drejtonim OSBE-në, kam takuar ambasadorin rus. Kemi pasur marrëdhënie pozitive pavarësisht se kishim qëndrime të ndryshme. Çdo shans për dialog duhet shfrytëzuar maksimalisht. Ne nuk marrim përsipër role që nuk na takojnë. Jemi të pozicionuar shumë qartë në krah të SHBA-së dhe partnerëve tanë të tjerë në anën perëndimore të Europës…
Ministria e Jashtme i ka marrë të gjitha masat. Kemi disa qytetarë shqiptarë që kontribuojnë në misionin e monitorimit të OSBE-së, ata do qëndrojnë atje. Ne jemi shumë të nderuar dhe njëkohësisht shumë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e pozicionit të ri që kemi marrë. Qëndrimet tona publike jemi të njehsuar me SHBA-në. Jemi më të vetëdijshëm për rolin që do luajmë. Ne kemi një avantazh për të shfrytëzuar hapësirën që kemi. Do mundohemi të jemi të vlefshëm për çështjen me interes të drejtpërdrejtë të vendit tonë që është çështja e qëndrueshmërisë së paqes në rajon dhe procesit të çuarjes përpara të punëve në rajonin tonë”, tha Rama
Rama u pyet gjatë bashkëbisedimit për kreun e shtetit Ilir Meta, për të cilin pritet një vendim nga Gjykata Kushtetuese, nëse do të shkarkohet apo jo.
“Është koha që t’i lihet Gjykatës Kushtetuese fjala e mundësia që të vendosë në vend nderin e nëpërmkëmbur të Kushtetutës”, tha ai
I pyetur për shpalljen ‘non grata’ të ish kryeministrit Sali Berisha, Rama tha se vendimi i SHBA “është meritë 100% e Berishës”.
Lidhur me nismën e Ballkanit te Hapur, Rama tha se administrata e re e SHBA “është 100% në mbështetje të Ballkanit të Hapur”.
“Jam shumë i kënaqur që administrata e re amerikane e ka përqafuar plotësisht Ballkanin e Hapur, është 100% në mbështetje të Ballkanit të Hapur dhe jam i bindur që në muajt në vijim do të kemi gjëra të reja në Ballkanin e Hapur. Kemi folur për Ballkanin e Hapur dhe mbështetja është 100%”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje