Gazeta Si – Amerikanët kërkojnë kontakte, por Moska nuk përgjigjet. Ushtria amerikane donte të fliste për situatën në hapësirën ajrore të NATO-s në kufi me atë ukrainase, por nuk arriti të kontaktonte me rusët, pavarësisht ekzistencës së një prej atyre “telefonëve të kuq” për të cilët flitet shpesh.

Kriza Kubane e Raketave
E para nga linjat e komunikimit që lidhin drejtpërdrejt dy superfuqitë, u krijua në vitin 1963, pas krizës së raketave kubane, më pas u krijua një e tillë mes ministrave të Mbrojtjes amerikane dhe ruse dhe një midis shefave të shtabit. Ky i fundit është më i “imediati”, ai që në të kaluarën ishte përdorur më shpesh për të sqaruar menjëherë çdo keqkuptim mes forcave përkatëse.
Keqkuptime që mund të çojnë në pasoja të rrezikshme, për të mos thënë katastrofike. Në orët e fundit, ndërsa situata në Ukrainë u bë gjithnjë e më e nxehtë, nuk ka pasur asnjë kontakt mes shefit të shtabit amerikan, Mark Milley dhe homologut të tij rus, Valery Gerasimov, të paktën sipas asaj që shkruan gazeta amerikane “Politico”.

Shmangia e gabimeve në llogaritje
Një zyrtar i lartë i Pentagonit tha: “Iu kemi thënë rusëve se do të nevojiteshin disa raportime operacionale për të shmangur llogaritjet e gabuara dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk e dimë nëse janë dakord dhe nëse duan të ngrihet diçka”.
Pasi përballja mes Kenedit dhe Hrushovit në vitin 1962 pothuajse arriti në pikën e thyerjes, me një rrezik real që të dy vendet të kalonin në armë bërthamore, u vendos që të instalohej i pari “telefon i kuq”.
Në realitet, nuk ishte një linjë telefonike me dy komplete, përmes së cilës presidenti amerikan dhe lideri sovjetik mund të bisedonin me njëri-tjetrin. Ata ishin dy teleprintera të thjeshtë në Shtëpinë e Bardhë dhe Kremlin në lidhje të përhershme.

Nga fakset te kompjuterët
Në vitin 1986, kaluan në faks dhe në 2008-ën në dy kompjuterë. Më pas u vendos që dy oficerët e mbrojtjes të viheshin në kontakt të vazhdueshëm për çështje më të kufizuara.
Dhe së fundi, Shefat e Shtabit, për komunikimet në lidhje me manovrat në vazhdim, patrullimet përgjatë kufijve të vendit tjetër, etj. Në raste të ndryshme, shkëmbimet e informacionit mes ushtarakëve kanë qenë shumë të dobishme. Kontaktet e fundit mes Milley dhe Gerasimov duket se datojnë në fillim të shkurtit, shumë përpara fillimit të ofensivës ruse në Ukrainë. Moska po përdor gjerësisht forcat ajrore, me avionë që operojnë vazhdimisht në qiellin e Kievit.
Në të njëjtën kohë, NATO ka filluar një patrullim intensiv të hapësirës së saj ajrore e cila në shumë vende kufizohet drejtpërdrejt me atë të Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës.
Informacioni i vazhdueshëm do të shërbente për të shmangur aksidentet. Në orët e fundit Vladimir Putin ka vënë në alarm edhe forcat e mbrojtjes strategjike dhe kjo krijon ende probleme të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje