Ne rrjet

Një hap larg bombës atomike: Kur SHBA dhe Rusia iu afruan katastrofës bërthamore

Në prag të katastrofave: nga kriza e raketave në Kubë në vitin 1962, te gabimi i bërë nga Boris Yeltsin, i cili ngatërroi një eksperiment shkencor norvegjez me një sulm bërthamor

Gazeta Si – Kur në vitin 2017, diktatori i Koresë së Veriut Kim Jong-un kreu një sërë testesh raketore, duke kujtuar se “butoni bërthamor është gjithmonë në tavolinën time”, Donald Trump u përgjigj menjëherë në Tëitter: “Dikush në atë vend të varfër dhe të uritur duhet ta informojë atë, se edhe unë kam një buton bërthamor, por i imi është shumë më i madh dhe më i fuqishëm se ai dhe funksionon!”.

Lëvizja e fundit

Njoftimi i Vladimir Putinit (jo i quajtur çuditërisht “gjeni” nga ish-presidenti amerikan), se ai kishte vënë në gatishmëri forcat parandaluese bërthamore të Rusisë, duket një shpërthim hormonal prej “të forti”. Një veprim shumë më i bujshëm nëse kemi parasysh se më pak se një vit më parë, në samitin e Gjenevës, vetë presidenti rus nënshkroi një deklaratë së bashku me Joseph Biden që dukej se e çonte konfliktin atomik në papafingo të Luftës së Ftohtë: “Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë”.

Pa shaka

Që nga fillimi i aksionit ushtarak në Ukrainë, Putin ka bërë thirrje për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore kundër kujtdo që ndërhyn.

Tani, duke vënë në gatishmëri arsenalin bërthamor, kreu i Kremlinit po përpiqet të rrisë presionin mbi Kievin dhe mbi të gjitha mbi komunitetin ndërkombëtar që e mbështet atë, në radhë të parë ndaj SHBA-ve.

Është një moment dramatik, por jo i paprecedentë. Qasja e Putinit është e njohur: shkundja e spektrit të Apokalipsit për të larguar çdo ndërhyrje të jashtme konvencionale ose për të parandaluar një disfatë në terren.

Presidenti rus i bën të ditur botës se nuk bën shaka. Problemi me këtë manovër “brinkmanship” në buzë të humnerës, është se rreziku i një ndezjeje të paqëllimshme ose të qëllimshme bërthamore, rritet në mënyrë dramatike. Dhe historia e Luftës së Ftohtë është e mbushur me momente fatale, në të cilat, gabimisht ose me zgjedhje, bota u gjend një hap larg “Armageddon”-it.

Ora e Kenedit

Ndoshta asnjëherë më shumë se në 13 ditët që kalojnë, nga 15 deri më 28 tetor 1962, bota e ka gjetur veten kaq afër luftës termo-nukleare. Kriza u shkaktua nga zbulim amerikan, falë një aeroplani spiun U-2, se BRSS po instalonte raketa balistike me rreze të mesme veprimi në ishullin e Karaibeve, të afta për të goditur territorin amerikan në pak minuta.

Presidenti John Kennedy u përgjigj me një bllokadë detare rreth Kubës, duke bërë thirrje për heqjen e raketave dhe shkatërrimin e vendeve që i mbështetnin. Si Moska, ashtu edhe Uashingtoni i vendosën arsenalet e tyre strategjike përkatëse në një gjendje gatishmërie maksimale, DEFCON 3 në kodin amerikan. Përfundimisht, Hrushovi u dorëzua duke pranuar çmontimin e bombave, në këmbim të angazhimit të Kenedit për të mos pushtuar ishullin e Kastros.

Në fakt, në një klauzolë që mbeti sekret për 25 vjet, kreu i Shtëpisë së Bardhë ofroi në këmbim edhe tërheqjen e raketave të tij bërthamore nga Turqia.

Ariu armik

Ajo që pak dine, është se në ato dy javë, rreth katër aksidente rrezikuan të shkaktonin një konfrontim bërthamor. Një nga këto ndodhi më 25 tetor, kur dikush u përpoq të hidhej mbi gardhin në bazën Duluth, Minesota. Duke besuar se ai ishte një sabotator sovjetik, rojet dhanë një alarm që shpejt u bë bërthamor. Por kur F-106 me bomba atomike ishin gati për t’u ngritur, u zbulua se ndërhyrës ishte një ari i gjorë, ogur i mirë në rastin e rusëve.

Nëndetësja

Dy episode të tjera ndodhën më 27 tetor, ndoshta dita më e rrezikshme në historinë njerëzore: në të parën, kapiteni i një nëndetëseje sovjetike B-59, që donte të detyronte bllokadën detare rreth Kubës, shkëmbeu bombat paralajmëruese të një kryqëzori amerikan, me një sulm dhe silurët bërthamorë të armatosur për ta fundosur atë.

Por mendimi i kundërt i dy oficerëve të tjerë të anijes, i detyrueshëm me rregullore, e bëri atë të tërhiqej. Disa orë më vonë, një U-2 amerikan, shkeli hapësirën ajrore sovjetike mbi Detin Bering dhe komandat sovjetike ngritën Mig-ët për ta kapur atë.

SHBA u përgjigj duke dërguar një skuadron F-102 të armatosur me raketa atomike “Falcon” në ajër. Për fat të mirë, ata nuk e takuan kurrë Mig-un dhe e shoqëruan U-2 në Alaska. “Gjithmonë ka një bir ku*** që nuk paralajmërohet”, ishte komenti i Kenedit.

Në verën e vitit 1974, javët e fundit në detyrë përpara se të jepte dorëheqjen, presidenti i SHBA-ve Richard Nixon kaloi në depresion akut, duke treguar shenja të forta të paqëndrueshmërisë emocionale. Ai pinte shumë “Martini”, kishte sulme zemërimi, sillej çuditërisht dhe një agjent i shërbimit sekret raportoi se hante biskota qensh.

Sekretari i Mbrojtjes, James Schlesinger, ishte aq i alarmuar sa i kërkoi shefit të shtabit të njoftonte menjëherë çdo “urdhër emergjence që vjen nga presidenti, si për shembull lëshimi i raketës bërthamore”.

Mbrojtja ajrore

Në shtator 1983, mbrojtja ajrore sovjetike shkatërroi avionin e linjës “Korean Air Lines 007”, i cili hyri gabimisht në hapësirën ajrore të BRSS-së, me 269 persona në bord. Tensioni midis dy superfuqive ishte në kulmin e tij, presidenti Ronald Reagan urdhëroi “DEFCON 3”.

Më 26 shtetor, rreth mesnatës, satelitët sovjetikë raportuan një hyrje amerikane “ICBM Minuteman” në bazën “Serpukhov-15”.

Menjëherë pas kësaj, u raportuan 4 të tjerë, por Stanisllav Petrov, oficeri komandues, në vend që tëi informonte menjëherë eprorët e tij në zbatim të  procedurës, priti.

Nëse do ta kishte respektuar, me siguri do të kishte nisur hakmarrja bërthamore sovjetike. Kaluan 23 minuta të pafundme. Petrov mendonte se nëse SHBA-të do të donin të sulmonin BRSS-në, do të përdoreshin jo vetëm 5, por qindra raketa atomike. Ai kishte të drejtë, ishte një alarm i rremë i shkaktuar nga një reflektim i diellit. Ndoshta ai njeri e shpëtoi botën nga katastrofa.

Boris Yeltsin

Gabimi i Jelcinit

Më 25 gusht 1995, presidenti rus Boris Yeltsin u bë lideri i parë në historinë botërore që aktivizoi rastin e kodit të lëshimit bërthamor. Kjo ndodhi pasi radarët rusë kishin kapur një raketë që u largua nga brigjet e Norvegjisë.

Ndërsa Jelcin u konsultua me Pavel Graciov, ministrin e tij të Mbrojtjes, duke pyetur veten nëse do të fillonte një kundërsulm, u zbulua se raketa po drejtohej nga deti: ishte një eksperiment shkencor norvegjez, për të studiuar dritën veriore, nisja e së cilës ishte njoftuar më shumë se një muaj më parë.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë