Politike

Kolegji i Kryetarëve si ngushëllim për Bashën dhe lëvizja në Kuvend që mund të shtojë absurdin në PD

Një ditë pas mbledhjes së vështirë me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, ku iu kërkua në kor dorëheqja, madje edhe nga besnikët e tij, Lulzim Basha ka thirrur mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve.

Basha është shprehur ‘i gatshëm për çdo vendimmarrje’, duke mos përjashtuar dorëheqjen, por dorëheqja është shmangur falë ‘manovrës’ së Jorida Tabakut, Gazment Bardhit dhe Enkelejd Alibeajt, që iu bashkuan pjesës tjetër të deputetëve kur kërkuan largimin e tij, por vunë kushtin që Sali Berisha të mos rikthehet.

Që të mbështesin këtë ‘kusht’ pritet të jetë edhe kërkesa e Bashës për kryetarët e degëve, të cilët duke qenë se janë pothuajse të gjithë të emëruar dhe jo të zgjedhur nga baza, i ka pasur me vete deri para 6 marsit.

Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve mund të ketë ndryshuar shumë gjëra, përfshirë këtu edhe mbështetjen ndaj Bashës në Kolegjin e Kryetarëve.

Në deklaratën që mbajti me mediat pas përfundimit të takimit, Basha pranoi përgjegjësinë kryesore për rezultatin e 6 marsit.

“Pa diskutim që si kryetar i Partisë Demokratike, përgjegjësia kryesore bie mbi mua, ndaj ndava me grupin parlamentar në këtë diskutim të gjatë dhe të frytshëm atë që do të ndajë edhe me institucionet e tjera të partisë, vënien time në dispozicion të zgjidhjes në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme që ndihmojnë për bashkimin e Partisë Demokratike dhe ecjen e demokratëve përpara”, tha ai.

Mbledhja e grupit parlamentar të shtunën u shoqërua me tensione, ku u tentua edhe përplasja fizike mes Salianjti dhe Bashës. Salianji dhe Grida Duma akuzuan kreun e PD-së së kishte futur brenda në mbledhje njerëz të jashtëm për t’u bërë presion deputetëve që ta mbështesnin.

Ndërkohë, një dokument me nismëtar Tomor Alizotin u firmos nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të grupit. Dokumenti shkarkonte Lulzim Bashën nga posti i kryetarit, jo mbi bazën e statutit, por mbi parimin se është përfaqësuesi më i lartë institucional dhe elektoral i partisë.

Gjithsesi, juridikisht grupi parlamentar nuk mund ta shkarkojë Bashën, por një lëvizje tjetër e Alizotit dhe deputetëve të tjerë që kanë dalë kundër Bashës mund të marrë udhë në Parlament. Deputetët mund të firmosin kërkesën për përjashtimin e Bashës nga grupi parlamentar. Nëse kërkesa do të merrte shumicën e votave të grupit, atëherë kryetarja Lindita Nikolla do të ishte e detyruar që në bazë të rregullores së Kuvendit ta përjashtonte. Kjo situatë do të shtonte edhe më shumë absurdin në PD, ku kryetari i saj në parlament do të ishte një deputet i pavarur dhe pa grup parlamentar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë