Jorida Tabaku, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi tre besnikët e mbetur të Lulzim Bashës në lidership ishin të vetmit gjatë mbledhjes së grupit që nuk e përmendën fjalën dorëheqje.
Të tre ata kërkuan që Basha të bëjë një hap pas.
Asnjëri prej tyre nuk sqaroi më tej se çfarë do të thotë një hap pas; dorëheqje, rivotbesim apo çfarë?
Bardhi pas mbledhjes së grupit tha se kishte nënkuptuar dorëheqjen, por në të njëjtën kohë të tërhiqej edhe Berisha. Nga çfarë? Bardhi nuk u përgjigj më tej.
I njëjtë me të edhe Alibeaj. Edhe ai foli për një hap pas nga Basha, por edhe Berisha, që për Alibeajn nënkuptonte që Berisha të hiqte dorë nga fryma përçarëse.
Pas tyre foli Lulzim Basha. Edhe pse i kërkuan dorëheqjen në grup, Basha tha se takimi kishte si qëllim analizën e zgjedhjeve dhe jo koka turku.
Basha foli ashtu si edhe gjatë mbledhjes së ishte në dispozicion të gjithçkaje që do t’i vinte si zgjidhje për PD-në, por kur u pyet disa herë nëse zgjidhja do të ishte dorëheqja, Basha nuk u përgjigj pasi do të dëgjonte edhe forumet e tjera të partisë. Vetëm kryesinë nuk ka mbledhur.
“Padiskutim që si kryetar i Partisë Demokratike, përgjegjësia kryesore bie mbi mua, ndaj ndava me grupin parlamentar në këtë diskutim të gjatë dhe të frytshëm atë që do të ndajë edhe me institucionet e tjera të partisë, vënien time në dispozicion të zgjidhjes në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme që ndihmojnë përbashkimin e Partisë Demokratike dhe ecjen e demokratëve përpara”, tha Basha.
Deputeti i PD-së, Tomor Alizoti që i kishte kërkuar dorëheqjen e parevokueshme doli ende pa përfunduar mbledhja e grupit të PD-së.
‘Të vish në 2022 dhe të gjesh një parti që më kujton Spaçin apo Qafën e Barit, edhe pse ne jemi në perëndim, kjo nuk është parti.
Kushdo kryetar duhet të japë dorëheqjen, ky është modeli perëndimor.
Modeli putinist është se do të rrijë në krye.
Ai ka përdorur një fjalë kurth, tërheqje. Dorëheqja është dorëheqje. Mesa kuptova unë, ai nuk do të japë dorëheqjen.
Duhet që një njeri të japë dorëheqjen, të marrë përgjegjësi. Pse qenka e vështirë të ikësh nga pushteti. Partia ka 12 %. Jemi bërë një kopsht fëmijësh.
Një hap pas është taktikë, dorëheqja është dorëheqje’, tha Alizoti
Ajo që pritej në PD ishte pikërisht qëndrimi i Bashës, që pas mbledhjes u duk po aq qesharak sa edhe deklarata e para do ditëve me parë se ai nuk kishte humbur asnjë palë zgjedhje.
Tani Basha angazhohet për një hap të ri; Të japë çdo zgjidhje për PD-në me veten kryetar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje