Politike

Shmanget Basha, i dërguari i posaçëm i Scholz takim me Alibeajn dhe Pollon. A po e njeh Gjermania ‘Foltoren’?   

Zhvillimet e brendshme në PD po ndikojnë jo pak edhe ndërkombëtarët. Bëhet fjalë për gjermanët aty ku PD-ja ka pasur gjithnjë një marrëdhënie të veçantë kryesisht me CDU-në.  

Por kësaj here nuk behet fjale për lobime apo njohje personale mes deputetesh.

Në Tiranë ka mbërritur i Dërguari i Posaçëm i sapoemëruar i qeverisë gjermane për shtetet e Ballkanit Perëndimor  Manuel Sarrazin.

Ambasada gjermane në Tiranë njofton se Sarrazin do të zhvillojë bisedime me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Jashtme Olta Xhacka.

Rama dhe Xhaçka janë dy emrat e konfirmuar, ndërsa në njoftim vihet re se i dërguari gjerman nuk ka emër tjetër të përcaktuar por thuhet në parim se, “ai do të takojë deputetë, përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile, si pjesë e vizitës së tij të parë zyrtare në Tiranë”. Ai do të marrë pjesë gjithashtu në konferencën rajonale “Balkan Dialogues”.

Burime për gazetën “Si” konfirmuan se i dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane do të zhvillojë një takim jo me Bashën, por me nënkryetarin e PD-së, Enkelejd Alibeaj. Nuk dihen arsyet se pse Basha nuk do të jetë vetë në takim. Të paktën deri mesditën e të enjtes ishte konfirmuar vetëm takimi me Alibeajn

Ndërkohë zhvillime interesante priten edhe nga Foltorja ku paraprakisht mësohet se i dërguari i posaçëm do të zhvilloje një takim edhe me Genc Pollon aktualisht anëtar i Komisionit të Rithemelimit.

Edhe pse jo zyrtarisht, ky do të jetë kontakti i parë i një përfaqësuesi të lartë zyrtar në bisedime me të dyja palët në PD si me atë që përfaqëson Basha ashtu edhe me palën tjetër që përfaqësohet nga Berisha.

Vetë i dërguari i posaçëm gjerman  Sarrazin u shpreh paraprakisht rreth vizitës së tij në Tiranë:

“Për mua është shumë e rëndësishme që fill pas marrjes së detyrës si i Dërguari i Posaçëm i qeverisë gjermane të vizitoj personalisht të gjitha vendet e rajonit. Me këtë dua të bëj të qartë se Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe perspektiva e anëtarësimit në BE për të gjithë rajonin janë të një rëndësie strategjike për Gjermaninë. Kjo ka prioritet të lartë.

Qeveria Federale po angazhohet me gjithë forcën e saj për nisjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe vendimtare për stabilitetin në rajon dhe rrjedhimisht edhe për Evropën.

Edhe me qeverinë e re të Kancelarit Olaf Scholz, Republika Federale e Gjermanisë mbetet një partner i ngushtë dhe i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë