Politike

Rusia mohon sulmin kundër godinës së Konsullatës shqiptare në Ukrainë. MEPJ: Pamjet flasin vetë

Gazeta Si – Rusia dhe Shqipëria kanë shkëmbyer akuza dhe replika me njëri-tjetrin në lidhje me goditjen e ndërtesës së Konsullatës shqiptare në Kharkiv në Ukrainë.

Gjatë ditës, ishte Rusia ajo që mohoi prerazi akuzat e Ministrisë së Jashtme shqiptare disa ditë më parë se forcat ruse dyshohet se kanë sulmuar ndërtesën e konsullatës së nderit të vendit në Kharkiv si rezultat i sulmeve me raketa.

“Ne i hedhim poshtë me vendosmëri akuza të tilla, – tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashmte, Maria Zakharova në një konferencë për shtyp. – Që nga fillimi i operacionit special në Ukrainë, ne kemi deklaruar mjaft qartë se ushtria ruse nuk sulmon infrastrukturën civile”.

Zakharova theksoi se udhëheqja ukrainase po përdor metoda terroriste: “Ata vendosin pozicione luftarake dhe armë në zonat e banuara, nga ku bombardojnë lagjet urbane. Ata përdorin civilët si mburojë njerëzore dhe provokojnë qëllimisht viktima”.

Sipas Zakharovës, “ushtria ukrainase pengon evakuimin e popullatës civile përmes korridoreve humanitare që Rusia ka krijuar. Janë këto veprime dhe taktika çnjerëzore që duhet të jenë fokusi i diskutimit”.

Zakharova kërkon “vlerësime të paanshme dhe informacion të vërtetë për publikun e gjerë”. Por më vonë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë, ka reaguar ndaj mohimit të sulmit.

Përmes një njoftimi zyrtar, ministria e konsideron “lajm të rremë” deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Në një reagim në Twitter, MEPJ thotë se pamjet e shembjes flasin vetë dhe ky shkatërrim i ambienteve dhe dokumenteve në arkiva është shkelje e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.

“Shqipëria dënon përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Pamjet e shembjes flasin vetë. Ky shkatërrim i ambienteve si dhe i dokumenteve në arkiva është një shkelje flagrante e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme për këtë sulm janë të papranueshme”, thuhet në njoftimin Ministrisë së Jashtme.

Në 7 mars, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë me dije se godina e Konsullatës shqiptare në Karkiv është bombarduar nga forcat ruse.

Institucioni i drejtuar nga Olta Xhaçka e dënoi sulmin ndaj godinës së konsullit shqiptar të nderit në Ukrainë.

Bashkëngjitur njoftimit, institucioni ynë i diplomacisë shpërndau edhe fotot e godinës së shkatërruar në Ukrainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë