Bota

Bomba ruse në Lviv, 70 km nga kufiri polak. Pentagoni: Rrezik i kërcënimit bërthamor nëse lufta zgjatet

Gazeta Si – Dita e njëzet e tretë e luftës u hap me sirena kundërajrore në aksion në qytete të shumta të Ukrainës, ku sulmet ruse në fronte të ndryshme të hapura nga ushtria e Moskës vazhdojnë të pandërprera. Në Kiev situata është gjithnjë e më dramatike, por ukrainasit nuk po dorëzohen.

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në qytetin perëndimor të Lviv gjatë orëve të mëngjesit. Në rrjetet sociale janë publikuar pamjet e shtëllungës së madhe të tymit në qiell, me objektivin që nodhet rreth 70 km nga kufiri polak.

Kryebashkiaku i Lviv ka thënë se është goditur një ndërtesë ngjitur me aeroportin. Ky sulm është më i afërti që forcat ruse kryejnë në Lviv që prej nisjes së pushtimit në Shkurt.

Kryebashkiaku ka thënë se asnjë person nuk ka mbetur i plagosur apo i vdekur si pasojë e sulmit me raketa. Ndërtesa në fjalë që u dëmtua  ishte një fabrikë mirëmbajtjesh avionësh.

Nga ora 6 e mëngjesit të kësaj të premteje, Rusia shpalli “zonë të ndaluar fluturimi” mbi rajonin separatist të Ukrainës. Kjo është bërë e ditur nga autoritetet e republikës së vetëshpallur të Donjeckut.

Ndalimi i fluturimeve mbi zonë do të zgjatet deri më 26 mars dhe konfirmohet nga agjencia Tass nga aeroporti i Krasnjodarit.

Ndërkohë, Vladimir Putin mund të përdorë kërcënimin bërthamor nëse lufta në Ukrainë zvarritet.

Ky është vlerësimi i fundit nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së Pentagonit.

“Ndërsa kjo luftë dhe pasojat e saj zvogëlojnë ngadalë forcën konvencionale të Rusisë”, Moska “do të mbështetet gjithnjë e më shumë në parandalimin e saj bërthamor për të projektuar forcë në audiencën e saj vendase dhe jashtë shtetit”, – shpjegoi gjeneral-lejtënant Scott Berrier, kreu i Dia, në një seancë parlamentare sipas asaj që raporton agjencia “Bloomberg”.

“Një okupim i zgjatur i pjesëve të territorit ukrainas kërcënon të dobësojë ushtrinë ruse dhe të zvogëlojë arsenalin e saj të armëve të modernizuara, ndërsa sanksionet ekonomike, mund të shkaktojnë një depresion të zgjatur ekonomik dhe një gjendje izolimi diplomatik”, – shpjegoi oficeri i lartë.

Kombinimi i rezistencës ukrainase dhe sanksioneve ekonomike, do të kërcënojë “aftësinë e Rusisë për të prodhuar municione të drejtuara me saktësi,” vazhdoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë