Opozita dhe mazhoranca u përplasën në Kuvend për krizën e çmimeve. Të dyja palët pranuan se kriza lidhet me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, por u ndanë te pjesa se sa thellë janë këto pasoja, sa është abuzimi dhe masat e ndërmarra nga Qeveria.
Përmes Jorida Tabakut, PD tha se kriza më shumë ka lidhje me abuzimet dhe tregjet oligopol në vend se sa me luftën në Ukrainë.
“Nuk është rastësi që tregu i karburanteve zotërohet nga oligarkia, nuk është rastësi që çmimi i naftës u ngrit si me buton nga oligarkia e naftës dhe nuk përbën habi që kryeministri vendit hesht dhe nuk flet asnjë fjalë për këtë monopol ndonëse një hetim i plotë i Autoritit të Konkurencës në 2015 ka evidentuar se ka një treg të monopolizuar të naftës në vend. Kush janë arsyet e çmimi 230 lekë/litër që ndryshon dhe rritet më shumë dhe më shpejt se sa çmimi i naftës në bursë? Taksat vendosura mbi naftën dhe që paguhen nga konsumatori janë 60% e vlerës së naftës që shitet sot në çdo pikë karburanti. Llogaritë për 7 taksat edhe tarifat e vendosura në çdo litër naftë janë prova e qartë ditën për diell se si kjo qeveri ka vendosur taksa në kurriz të qytetarëve”, tha ajo.
Kërkesa për uljen e TVSh-së për mallrat e shportës dhe heqja, apo ulja e taksave për naftën u përsërit nga ana e opozitës.
Nga mazhoranca mbrojti politikat e Qeverisë, Belinda Balluku. Ajo doli në foltore për të shpjeguar se përse nuk mund të hiqet, apo ulet asnjë taksë për momentin.
“Nëse heqim taksat nga nafta, se flitet lehtë nga karrigia e opozitës, po me cilat para do të kompensohet 3 mijë lekëshi që do t’u jepet njerëzve në nevojë? Këto para nga taksat dalin. Si do të kompensojmë ata që përdorin sot transportin urban? Janë 1.45 mld lek për naftën për bujqit. Si do të kompensohen të gjitha familjet që sot nuk ekspozohen ndaj çmimit të energjisë? Si do të kompensohen bizneset e vogla nuk janë ekspozuar ndaj çmimit të energjisë?”, tha Balluku.
Ministrja u shpreh se në lidhje me tregun e naftës nuk ka asnjë ndryshim me atë të para 2013-s.
“Nuk ka asgjë të re në tregun e naftës dhe të gazit nga 2013-ta. Është një treg i lirë dhe konkurrues. Ne kemi ngritur një bord për transparencë çmimesh që sot afishohen në treg. Nuk kemi ndërhyrë kurrë në këtë treg”, shtoi ajo.
Ndërkohë, deputeti i PD-së, Helidon Bushati tha se kriza energjitike ka ardhur si pasojë e keqadministrimit. Ai u shpreh se Fierza ndodhet në prag të pikës së vdekjes si HEC për shkak se qeveria shiti në 8 muajt e parë të 2021 energji pa kufizime dhe me vetëm 35 euro megavatin.
Ministrat e qeverisë dhe deputetët e PS-së mbrojtën paketën e rezistencës sociale, duke e cilësuar atë si gjithëpërfshirëse dhe më të duhurën në rajon, ndërsa nga opozita kjo paketë u cilësua si lëmoshë për qytetarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje