Politike

Në prag të zgjedhjes së Presidentit të ri, Kim viziton sërish kryesinë e Kuvendit

Për të tretën ditë me radhë, Yuri Kim vizitoi Kryesinë e Kuvendit, ku pas takimeve që pati me Lindita Nikollën të hënën dhe Enkelejd Alibeajn të martën, u takua edhe me Taulant Ballën.

Sipas asaj që njofton ambasadorja e SHBA në rrjetet sociale, në të tria takimet temë diskutimi kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së lidhjeve diplomatike mes dy vende, ecuria e reformave, veçanërisht ajo në drejtësi dhe roli i parlamentit në forcimin e demokracisë.

Por, takimet në seri të Ambasadores amerikane i paraprijnë nisjes zyrtarisht të procesit për zgjedhjet e pasuesit të Metës në Presidencë dhe sipas disa raportimeve, kur u takua të hënën me Lindita Nikollën në kryesinë e Kuvendit, të pranishëm ishin edhe Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali, që të tre emra të mandatuar nga PS për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Megjithatë, në këtë tur takimesh, polemikat më të mëdha, Ambasadorja e SHBA i shkaktoi të martën, kur u takua me Enkelejd Aliebajn. Në përfundim të takimit, ajo e cilësoi Alibeajn si kryetar të grupit parlamentar, por edhe si kryetar i komanduar i Partisë Demokratike.

Kjo shkaktoi reagimin e Komisionit të Rithemelimit, që akuzoi ambasadoren se shkeli Konventën e Vjenës dhe vendimet e gjykatave shqiptare, që njohin këtë komision si autoriteti drejtues i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë