Lëvizja Socialiste për Integrim publikoi të tjera dokumenta, sipas të cilave thotë se institucionet shtetërore kanë lënë peng pronat shtetërore, që kompania e inceneratorit të Tiranës të përfitonte kredi nga bankat.
“Në mënyrë skandaloze institucionet shqiptare, qeveria e pushtetit lokal, Bashkia e Tiranës dhe MIE miratojnë marrjen e 8 milionë eurove kredi nga Klodian Zoto pikërisht në 4 nëntor të vitit 2021, ndërkohë që për çështjen kishte filluar hetimi dhe sekuestrimi i dokumentacioneve. Në marrëveshjen e inceneratorëve, thuhej në mënyrën më skandaloze se koncesionari, pra Zoto dhe kompani kishin të drejtë të linin peng dhe kolateral pronat dhe asetet shtetërore, sheshet dhe servitutin e kalimit si dhe të ardhurat e përfituara, pra gjithçka”, deklaroi nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një dalje publike.

Sipas dokumentacionit të publikuar nga LSI, banka ku Klodian Zoto ka aplikuar për kredi i ka kërkuar që të dorëzojë me shkrim konfirmimin e lënies peng të pronave shtetërore nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia e Tiranës.
“Këto dy të fundit nuk bëjnë as më të voglin kundërshtim dhe lejojnë marrjen e kredisë e cila disbursohet rreth 6.9 milionë euro në tranzhin e parë. Kaq e patolerueshme dhe e rëndë bëhet situata sa vetë banka detyrohet që pas marrjes së informacioneve mediatike të ndërpresë dhënien e tranzhit të fundit prej 1.1 milionë euro pasi kishte dyshime lidhur me koncesionarin dhe veprimatarinë e tij dhe për këtë gjë në datën 7 dhjetor i drejtohet zyrtarisht kompanise duke refuzuar disbursimin”, denoncoi Vasili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje