Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon se kompania e inceneratorëve të Tiranës ka marrë me qira 12 automjete për llogari të Bashkisë së Tiranës.
“Skandali tjetër i madh që trajton qartë marrëdhëniet koncesionar-Bashki Tiranë është edhe kontrata për marrjen e 12 automjeteve me kontratë huapërdorje nga koncesionari i Inceneratorit të Tiranës për Policinë Bashkiake me sebepin e pandemisë. Koncesionari nuk ka asnjë lidhje me aktivitete që lidhen me shitjen apo dhënien me qira të automjeteve, por ka për detyrë incenerimin dhe trajtimin e mbeturinave sipas marrëveshjes përkatëse”, deklaroi nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.
Mes dokumenteve që publikoi nënkryetari i LSI-së del në skenë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe.


“Nga dokumentat që ne disponojmë për një pjesë të automjeteve për katër prej tyre janë marrë nga kompania Alba Rent me administratore Elda Gonxhja, bashkëshortja e Drejtorit të Përgjithshëm të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja. Vetëm për këto katër automjete për të cilat ne disponojmë kontratën kompania koncesionare paguan një shumë vjetore prej 38.400 euro qira”, shtoi Vasili.
LSI thotë se janë shpërdoruar paratë publike dhe kërkoi që SPAK të hetojë.
“Këto janë disa dokumente që ne na u vunë në dispozicion është sigurisht e qartë që SPAK ka të gjitha mundësitë dhe fuqinë ligjore për t’i zbardhur deri në fund për t’i çuar përgjegjësit para ligjit por dhe për të informuar dhe opinionin publik shqiptar mbi gjithçka ka ndodhur”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje