Bota

Raketa në stacionin e Kramatorskut gjatë evakuimit të civilëve, të paktën 50 të vdekur

Gazeta Si – Dy raketa ruse goditën një stacion treni në Kramatorsk, në Ukrainën lindore, duke vrarë 50 civilë, mes tyre 10 fëmijë këtë të premte. Lajmi bëhet i ditur nga kompania shtetërore e hekurudhave të Ukrainës, cituar nga “The Guardian”.

Stacioni, në këto orë po përdoret për evakuimin e civilëve nga zonat lindore të vendit që janë nën bombardime.

Gazetari i “France Presse”, në vendngjarje raportoi se kishte parë trupat e të paktën 50 njerëzve me çanta trupash dhe tha se qindra njerëz ishin të grumbulluar në stacion, duke shpresuar të mund të largoheshin nga qyteti, i cili kërcënohej nga një ofensivë e madhe ruse.

Mbetjet e njërës prej raketave të hedhura pranë stacionit Kramatorsk duket se kanë fjalët “për fëmijët” të shkruara në rusisht.

Fraza – “za detei” në rusisht – domethënë se është qëlluar në mbështetje të fëmijëve. Zyrtarët ukrainas thonë se sulmi i stacionit hekurudhor në Kramatorsk ka vrarë të paktën 39 persona, përfshirë katër fëmijë.

Viktimat në stacionin hekurudhor të Kramatorskut

Guvernatori i rajonit të Donjeckut, Pavlo Kyrylenko, sipas raporteve të mediave ndërkombëtare, tha se mijëra njerëz ndodheshin në stacion në momentin e sulmit, duke u përpjekur të largoheshin nga rajoni. Kramatorsk ishte një nga stacionet në Ukrainën lindore ende funksional.

Vetëm dje, Iryna Vereshchuk, Ministrja për Riintegrimin e Territoreve të Pushtuara, u kishte sugjeruar banorëve të rajoneve të diskutueshme të Lugansk, Donjeck dhe një pjese të Kharkivit, që të “largohen menjëherë” nga zonat.

Donbas dhe pjesa lindore e Ukrainës, në fakt, po bëhen fronti i ri “i nxehtë” i luftës.

Për ditë të tëra, Kievi ka paralajmëruar se Rusia po riorganizon dhe grumbullon trupat e saj në lindje për të nisur një ofensivë të re të madhe atje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë