Bota

Masakra në Bucha, kryebashkiaku: Një në dhjetë qytetarë është vrarë nga rusët

Gazeta Si – “Një në dhjetë qytetarë gjatë pushtimit rus u pushkatua, u ekzekutua në mënyrë cinike nga rusët”.

Ai që flet ekskluzivisht për “White Zone” është Anatoli Fedoruk, kryebashkiaku i Bucha-s, qytetit të masakrës në Ukrainë, ku u vranë mijëra civilë gjatë pushtimit të ushtrisë ruse.

“Unë isha fshehur në një shtëpi private në kryqëzimin e rrugëve Lekacacisca dhe Shevchenko dhe pashë ekzekutimin e një makine plot me njerëz që përpiqeshin të evakuoheshin. Ata ishin civilë, – thotë kryetari i bashkisë, – të cilët po përpiqeshin të lëviznin drejt Kievit: ata ishin duke u arratisur. Rusët qëlluan një makinë dhe burri brenda mjetit iu lut të mos vriste gruan e tij shtatzënë, por ata qëlluan me gjakftohtësi dhe e vranë”.

Kryebashkiaku përpiqet të përshkruajë situatën në Bucha gjatë pushtimit rus: “Ishte shumë e rrezikshme për civilët të dilnin në rrugë, veçanërisht në rrugët kryesore të qytetit ku ishin vendosur kolonat e trupave. Rusët qëlluan në makina, kundër njerëzve në këmbë, kundër atyre që lëvizin me biçikletë”, thotë Fedoruk i cili më pas komenton foton e Vladit, djalit 6-vjeçar që solli një lëng frutash në varrin e nënës së tij. “Ne do ta ndihmojmë këtë fëmijë me çdo mënyrë që të mundemi, por nuk do të mund t’i kthejmë babain dhe nënën e tij. Nëna e tij vdiq, sepse nuk mundi të merrte trajtimin mjekësor që i duhej. Ajo nuk mundi të dilte nga bodrumi. Nëse dilje nga strehimi, ata të vrisnin, sepse kështu bënte ushtria ruse”.

Kur e kuptoi se trupat ruse ishin larguar nga Buchça, kryebashkiaku thotë se u largua menjëherë nga vendi ku fshihej: “Isha 700 metra larg administratës komunale, kalova parkun, rrugën, arrita në komunë dhe më pas regjistrova një video. Pas një muaji pushtim, videoja ishte një lajm i mirë kur u transmetua, megjithatë, – konsideron kryebashkiaku, – askush nuk mund ta imagjinonte këtë tmerr, këtë masakër”.

Vetëm më vonë Anatoly Fedoruk e kuptoi se çfarë kishte ndodhur gjatë pushtimit rus. “Duhet ta kuptoni që në rrugën “Yablonska” këta trupa nuk qëndruan një, dy apo tre ditë, por për një kohë shumë të gjatë”, shpjegon kryebashkiaku i cili përfundon: “Në Bucha ishin 5300 qytetarë, tani jemi pak më shumë se 3 mijë. Ne do të rindërtojmë gjithçka, por jetët njerëzore nuk mund të kthehen më”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë