Gazeta Si – Autoritetet ukrainase akuzojnë Rusinë se ka lëshuar një dron që mbante një substancë toksike mbi Mariupol, një qytet në Ukrainën juglindore, të hënën në mbrëmje.
Sipas “The Guardian”, Ivanna Klympush, deputete ukrainase dhe kryetare e komisionit parlamentar për integrimin e Ukrainës në BE, ka bërë denoncimin.
Sipas Klympush, substanca e panjohur është “me shumë gjasa” një armë kimike. Lajmi, nënvizon “Guardian”, nuk është i konfirmuar për momentin. Zëdhënësi i milicive separatiste pro-ruse të republikës së vetëshpallur të Donjetckut, Eduard Basurin, mohoi përdorimin e armëve kimike për të nxjerrë jashtë ushtarët e rretuar në fabrikën e çelikut, “Azovstal”, bastioni i fundit i rezistencës ukrainase në Mariupol.
Menjëherë pas dyshimeve, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin filluar hetimet për përdorimin e mundshëm të këtyre armëve në Mariupol.
“Ne po punojmë urgjentisht për të verifikuar detajet e këtij lajmi”, tha ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss, duke saktësuar se “çdo përdorim i këtij lloji të armëve do të ishte një shenjë e frikshme e përshkallëzimit në këtë konflikt”.
John Kirby, zëdhënës i Pentagonit, konfirmoi se “ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën”.
Megjithatë, nuk është e qartë se cila do të ishte përgjigja e Perëndimit përballë raporteve të verifikuara për përdorimin e armëve kimike mbi popullsinë në Ukrainë: deri më tani presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka shmangur jë paralajmërin për kalimin e mundshëm të “vijve të kuqe”.
Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskij, ka shprehur shqetësimin se forcat ruse mund të përdorin armë kimike kundër vendit të tij.
Megjithatë, ai nuk ka konfirmuar nëse ato janë përdorur. “Sot pushtuesit lëshuan një deklaratë të re, e cila dëshmon për përgatitjen e tyre për një fazë të re terrori kundër Ukrainës dhe mbrojtësve të saj”, shpjegoi Zelenskij në video-mesazhin e tij.
“Një nga zëdhënësit e tyre, tha se mund të përdornin armë kimike kundër ushtarëve të Mariupolit. Ne i marrim këto fjalë sa më seriozisht, – shtoi ai. – Dua t’u kujtoj liderëve botërorë se përdorimi i mundshëm i armëve kimike nga ushtria ruse tashmë është diskutuar. Në këto momente, kjo do të thotë se do të ishte e nevojshme të reagonim ndaj agresionit rus shumë më fort dhe më shpejt”, tha Zelenskij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje