Bota

Takimi jo miqësor mes Putinit dhe kancelarit austriak, çfarë thanë dy liderët në Moskë

Gazeta Si – “Nuk ishte një takim mes miqsh”, – siguroi Karl Nehammer në fund të më shumë se një ore të kaluar me Vladimir Putin, në suitën presidenciale të Novo-Ogarevo në periferi të Moskës. Biseda mes kancelarit austriak dhe liderit rus ishte “e drejtpërdrejtë, e hapur dhe e vështirë”.

Por përshtypja që ai mori për këtë, “nuk ishte pozitive”, mbi të gjitha sepse “në lindje të Ukrainës rusët po përgatisin një sulm brutal dhe masiv”. Megjithatë, Nehamer mbetet i bindur “për rëndësinë e një konfrontimi të drejtpërdrejtë”, siç i tha presidentes së Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen, e cila u informoi menjëherë pas takimit.

“Kam folur me Putinin për krimet e rënda të luftës të kryera në Bucha dhe vende të tjera, duke nënvizuar se të gjithë përgjegjësit duhet të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë”, shpjegon Nehammer, sipas të cilit do të jetë i nevojshëm edhe një hetim ndërkombëtar për veprimet e trupave ruse.

Kreu i parë i qeverisë së Bashkimit Evropian që shkoi në Rusi dhe u takua me Putinin që nga fillimi i luftës, ia bëri të qartë liderit të Kremlinit, se “sanksionet kundër Moskës do të mbeten në fuqi dhe do të forcohen më tej për aq kohë sa ndërsa ukrainasit vazhdojnë të vriten. Mesazhi im më i rëndësishëm për Putinin, – tha kancelari, – ishte se kjo luftë duhet të përfundojë, sepse në një konflikt ka vetëm humbës nga të dyja palët”.

Një çështje tjetër e ngritur nga Nehamer ishte ajo e korridoreve humanitare, të cilat duhet të hapen urgjentisht përpara se forcat ruse të rifillojnë ofensivën në Donbass.

Iniciativa e kancelarit vjenez, i habiti pak të gjithë dhe ngriti edhe disa kritika. Duhet parë në sfondin e pozicionit të veçantë të Austrisë, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian, por që ka “neutralitetin” e shkruar në Kushtetutë, nuk është pjesë e NATO-s dhe gjithmonë është menduar si një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit.

Me një marrëdhënie të varësisë së fortë energjetike nga Rusia, nga e cila importon 80% të gazit të saj natyror, Vjena është ndër kryeqytetet evropiane që janë më shumë kundër vendosjes së një embargoje për blerjet e gazit dhe naftës nga Moska.

Por marrëdhëniet e mira me Kremlinin nuk e kanë penguar qeverinë austriake të nënshkruajë të gjitha sanksionet e vendosura nga BE kundër Rusisë.

Megjithatë, njëfarë hezitimi mbetet: të enjten e kaluar, pas një reflektimi të gjatë, Ministria e Jashtme austriake në fakt vendosi të ndjekë linjën e partnerëve evropianë edhe për dëbimet e diplomatëve rusë të dyshuar për spiunazh. Por numri i dëbimeve, vetëm katër, është dukshëm më i ulët se ato të vendosura nga vendet e tjera të BE-së dhe përfaqëson një pjesë të vogël të pranisë së madhe diplomatike ruse në Vjenë.

Në prag të vizitës në Moskë, kancelari kishte përsëritur se Austria është “ushtarakisht neutrale, por politikisht përkrah Ukrainës” dhe se “të flasësh, nuk do të thotë t’u dorëzohemi pozicioneve dhe parimeve tona”.

Për këtë arsye ai kishte siguruar se nuk do të diskutonte me Putinin “nga një pozicion moralisht neutral”.

Të shtunën e kaluar, kryeministri austriak kishte takuar Volodymyr Zelenskijn në Kiev edhe për të diskutuar udhëtimin në Rusi: “Nuk do të isha këtu nëse Zelensky do të kishte qenë kundër”, – saktëson ai pas takimit me Putinin, duke pranuar se një takim i vetëm nuk do të ndryshojë rrjedhën e gjërave, por “çdo hap i vogël është i rëndësishëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë